Policia e Vlorës ka arrestuar dy të rinjtë pasi kishin vjedhur një makinë tip “Land Rover” në Dhërmi, por gjatë manovrave për t’u larguar makina ka shkaktuar dëmtime në rrugë dhe falë reagimit të shpejtë të policisë është bërë e mundur kapja e ndalimi i autorëve.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
“Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë se në Dhërmi ishte vjedhur një automjet tip “Land Rover”, organizuan punën, ku falë reagimit të shpejtë bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit.
Drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e vjedhur.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se, më datë 30.04.2026, në orët e mbrëmjes, dy shtetasit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim blerjen e një automjeti tip “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas banues në Tiranë. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte ndezur automjetin dhe ishte larguar pa lejen e tij.
Po nga hetimet rezultoi se 17-vjeçarja, e cila kishte marrë automjetin “Land Rover”, kishte bashkëpunuar me një 25-vjeçar, i cili u kap në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë, ndërsa automjetin me të cilin kishte shkuar në Dhërmi e kishte përplasur në Palasë dhe e kishte braktisur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, automjeti që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”.









