Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së biznesmenit Rexhep Ismali 66-vjeç në fshatin Gjashtë në Sarandë.
Para vrasjes sipas policisë ka pasur debat dhe përleshje brenda lokalit të biznesmenit, kryetar i shoqatës “Çamëria”. Autori është identifikuar.
Sherri ka nisur me sende të forta dhe më pas Lulëzim Tabaku dyshohet se ka vrarë me armë zjarri 66-vjeçarin Ismaili. Dyshohet edhe për një të plagosur.
“Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes” njofton policia.









