Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Péter Magyar, është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke shënuar kështu fundin zyrtar të 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán.
Ceremonia e së shtunës, gjatë së cilës magjari kishte ftuar njerëzit t’i bashkoheshin për të “shkruar historinë hungareze” së bashku dhe “për të kaluar nëpër portën e ndryshimit të regjimit”, vjen një muaj pasi partia e tij opozitare Tisza fitoi me shumicë dërrmuese në zgjedhjet parlamentare.
Rezultati shkaktoi gëzim në Budapest dhe më gjerë, pasi Orbán dhe lëvizja e tij populiste dhe nacionaliste ishin mbajtur prej kohësh nga e djathta ekstreme globale si një shembull për t’u imituar.
Duke folur para dhjetëra mijëra mbështetësve që i kishin kushtuar vëmendje thirrjes së tij për t’u mbledhur jashtë parlamentit, kryeministri i ri e përshkroi rrugën drejt ndryshimit si shumë të gjatë dhe shpesh mjaft të vështirë.
Por hungarezët më në fund mund të gëzoheshin, shtoi ai. “Sot, çdo person që e do lirinë në botë dëshiron të jetë pak hungarez”, tha ai.
“I keni mësuar vendit dhe botës se janë njerëzit më të zakonshëm, prej mishi e gjaku, që mund ta mposhtin tiraninë më të egër”, shtoi Magyari.
Më parë ai i kishte thënë parlamentit se hungarezët i kishin dhënë partisë së tij një mandat për të nisur një “kapitull të ri” në historinë e vendit. “Një mandat jo vetëm për të ndryshuar qeverinë, por edhe për të ndryshuar sistemin. Për të filluar nga e para”.









