Aeroporti i Vlorës është bllokuar prej disa ditësh për shkak të konfliktit mes aksionerëve. Por si do të shkojë fati i aeroportit? Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë, Enea Karakaçi lëshoi një ultimatum sot nga Tirana. Ai tha se nuk do të tolerohet situata e krijuar nga konflikti mes dy kompanive koncensionare, që ka bllokuar punën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
“Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës me vëmendje të plotë dhe rigorozitet institucional. Ministria ka siguruar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat e të gjitha palëve janë respektuar në mënyrë të plotë.
Megjithatë, ministria vëren me shqetësim të thellë se sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore mes koncensionarëve dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të garantuar respektimin e detyrimeve kontraktore.
Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës duhet të kuptohet se është, në thelb, një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private. Aeroporti nuk është operacional. Kur flasim për operacionalitet, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por edhe për marrjen e të gjitha certifikatave për bërjen publik të aktivitetit ajror. Kjo nuk ka ndodhur! Në bazë të kontratës, këto duhej të kishin ndodhur.
Penaliteti do t’u vendoset subjekteve tregtare. Mosmarrëveshja që ju keni parë gjithë këtë kohë është një mosmarrëveshje private mes 2 shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë. Po bëhet shkak për vonesa të mëtejshme dhe për prishjen e reputacionit të aeroportit të Vlorës”, deklaroi ministri.









