Minstri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me anë të një postimi në rrjetin e tij X, ka reagur sërish për çështjen e aktivistit shqiptar Baki Goxhaj i cili u ndalua nga Izraeli pasi ky i fundit së bashku me disa të tjerë kishte shkuar për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, tashmë i liruar dhe rrugës për tu kthyer në Shqipëri.
Postimi i Hoxhës
Shtetasi shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në atdhe. Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e #Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite. Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm.
Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë #përfaqësive tona #diplomatike dhe #konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional. Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë #qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre.









