Gjatë kësaj periudhe ka vazhduar furtuna e shkarkimeve dhe largimeve nga pozicionet drejtuese të bashkisë së Sarandës, Himarës dhe asaj së Vlorës.
Pas një takimi të mbajtur së fundi nga ministri i Brendshëm Besfor Lamallari së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Sarandë lidhur me problemet e ndërtimeve pa leje, të cilët çuan në arrestimin e shefit të komisariatit Gëzim Bashllari, pas kësaj menjëherë është larguar nga detyra edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së së Vlorës Elton Caslli.
Ministri i Punëve të Brendshme në takimin e mbajtur u bëri një apel të qartë strukturave të Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT sa i përket zbatimit të ligjit.
“Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional. Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe”, u shpreh Lamallari.









