Të tjera detaje janë mësuar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pas mesnate mbrëmjen e kaluar në Tiranë te Casa Italia, ku një 17 vjeçari u plagos me armë zjarri nga shoku i tij.
Sipas burimeve bëhet me dije se 19 vjeçari Rigers Sylaj së bashku me 4 shokët e tij ishin mbledhur te shtëpia e tij për të konsumuar alkol dhe në një moment 19 vjeçari i vendos pitoletën në kokë 17 vjeçarit pa e ditur se brenda në fole kishte fishek
Ky i fundit mori një plagë në kokë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.
Sipas burimeve, 19 vjeçari së bashku me dy shokët e tjerë, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, të frikësuar e kanë nxjerrë shokun e tyre të plagosur në oborr pasi shtëpia është private dhe kanë njoftuar ambulancën.
Sipas burimeve, arma e zjarrit ishte e 19 vjeçarit Rigers Sylaj. Mësohet se ai është djali i një ushtaraku.
Në përfundim të veprimeve hetimore 19 vjeçari u arrestua për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Ndërsa dy shokët e tjerë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.









