Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me strukturat policore në Kukës dhe Dibër, si dhe me ato të kufirit dhe migracionit, ku ka kërkuar rritje të gatishmërisë dhe forcim të punës në terren.
Në fokus të takimit kanë qenë sezoni turistik, siguria në shkolla, siguria rrugore, parandalimi i zjarrvënieve dhe goditja e çdo forme paligjshmërie, përfshirë krimet kufitare, trafikimin e narkotikëve dhe krimet ekonomike.
Hita ka kërkuar disiplinë në punë, reagim të shpejtë ndaj problematikave dhe bashkëpunim të ngushtë mes strukturave policore në terren.
Ai është ndalur edhe te siguria rrugore dhe menaxhimi i fluksit gjatë sezonit turistik, duke kërkuar monitorim më të madh dhe përdorim të teknologjisë për evidentimin e shkeljeve.
Në përfundim të takimeve, Hita ka theksuar se Policia e Shtetit do të jetë në krah të punonjësve që zbatojnë ligjin dhe e ashpër ndaj çdo abuzimi me detyrën.









