Policia e Kukësit ka finalizuar operacionin e koduar “Zabeli”, gjatë të cilit është zbuluar një parcelë me 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa në fshatin Gështenjë, në njësinë administrative Kalis.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se pas kultivimit të bimëve janë personat me inicialet F.R., 63 vjeç, dhe djali i tij M.R., 29 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit në banesën e 63-vjeçarit është gjetur dhe sekuestruar edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Për këtë rast është proceduar në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, ndërsa është proceduar gjithashtu kryetari i fshatit Gështenjë, nën dyshimin për shpërdorim detyre.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Kukësit, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.









