Në kuadër të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, Grupi BALFIN organizoi një aktivitet festiv dedikuar fëmijëve dhe familjeve të punonjësve të kompanive të grupit. Aktiviteti mblodhi së bashku qindra fëmijë në një atmosferë të ngrohtë, plot argëtim, buzëqeshje dhe momente të paharrueshme.
Festa u çel me fjalën përshëndetëse të Drejtoreshës Ekzekutive të Grupit BALFIN, Edlira Muka, e cila theksoi rëndësinë e investimit tek fëmijët dhe krijimit të mundësive që ata të rriten në një mjedis të sigurt, mbështetës dhe frymëzues. Në fjalën e saj, Muka vlerësoi gjithashtu rolin dhe përkushtimin e punonjësve të Grupit BALFIN, duke nënvizuar se ky aktivitet shënon nisjen e një tradite të re që do të vijojë të pasurohet vit pas viti.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Şahin, i cili theksoi se fëmijët duhet të jenë në qendër të rritjes ekonomike dhe zhvillimit kombëtar. Të investosh tek fëmijët sot do të thotë të investosh në një forcë punëtore më të fortë, komunitete më të shëndetshme, dhe një Shqipëri më të begatë nesër.
Gjatë aktivitetit, fëmijët u përfshinë në lojëra, aktivitete argëtuese dhe morën dhurata të ndryshme. Një nga momentet më të veçanta të ditës ishte shfaqja e Cirkut Kombëtar, e cila solli emocione, energji festive dhe argëtim për të vegjlit, duke u kthyer në një nga pikat kulmore të festimeve.

Pjesë e aktivitetit ishin gjithashtu organizata dhe iniciativa që punojnë në mbështetje të fëmijëve dhe përfshirjes sociale, si Down Syndrome Albania, SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe AKA Company, një nismë e gjimnazistëve që promovon punimet artistike të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Prania e tyre i dha aktivitetit një dimension të rëndësishëm social, duke përcjellë mesazhe për barazi, gjithëpërfshirje dhe solidaritet.
Përmes këtij organizimi, Grupi BALFIN rikonfirmoi angazhimin e tij për të mbështetur mirëqenien e fëmijëve, familjet e punonjësve dhe nisma me ndikim pozitiv në komunitet. Aktiviteti i 1 Qershorit u kthye në një ditë feste, gëzimi dhe frymëzimi për fëmijët dhe familjet e Grupit BALFIN.









