Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se nuk mund të ketë normalizim të situatës në kryeqytetin libanez për sa kohë që komunitetet në veri të Izraelit vijojnë të përballen me kërcënime dhe sulme.
“Nëse nuk ka qetësi për banorët e veriut të Izraelit, atëherë nuk do të ketë qetësi as në Bejrut. Ne nuk do të pranojmë një situatë ku qytetarët tanë janë nën sulm, ndërsa në anën tjetër vazhdon normaliteti”, tha Katz.
Ai shtoi se forcat izraelite po vijojnë operacionet për të reduktuar kapacitetet ushtarake të Hezbollahut dhe për të eliminuar rreziqet që, sipas autoriteteve izraelite, paraqiten ndaj ushtarëve dhe civilëve.
Sipas ministrit, objektiv i këtyre veprimeve mbetet edhe krijimi i një zone të sigurt në rajonin e Lumit Litani, pa prani armatimesh apo strukturash të lidhura me Hezbollahun.









