Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, priti në takim prezantues Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy institucioneve dhe projekteve që synojnë modernizimin dhe profesionalizimin e Policisë së Shtetit.
“Vizioni im është për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës”, u shpreh Hita. Ai vlerësoi partneritetin me agjencitë suedeze, duke përmendur programet për forcimin e policimit në komunitet, Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.
“Partneriteti pa barriera dhe i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë ka dhënë rezultate të larta në fusha si lufta kundër terrorizmit, policimi në komunitet, drejtësia për të miturit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, hetimi kriminal dhe shkëmbimi i informacionit”, shtoi Hita.









