-sidi education-spot_img
19.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fisnik Biba: Rrenci përbindësh

Kryesoret

Çdo analizë e protestës së bukur që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri, duhet të nisë me
hulumtimin e një fjale.
Andaj po e nis qashtër: Cili nga ju që ka dëgjuar e lexuar sapak nga historia e vonë e popullit
shqiptar, nuk e ka përzemër e të rrethuar si me brerore fjalën Rilindje Kombëtare? Cili nga ju
nuk ndien krenari e ndoshta dhimbje kur flitet për De Radën, Fishtën, Frashërit, (Shqipëria
ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë, Nji komedí e pandershme e shekullit XX, Fiamuri Arbërit)
e nuk e kupton se ne jemi vetëm sepse ishin ata? Aq e thjesht është, sa e rrok edhe fëmija.
Pa to ne nuk do kishim edhe atë pak Shqipëri që kemi sot. Prandaj kjo brerore shndrin me
dritë të pasosur në vetëdijen kombëtare.
Gjurmojmë fjalën. Cili është ai burrë, ajo pluhnajë e madhe politike, që merr emrin më të
dashtur për brezat pasardhës dhe e kthen atë në fjalën më të urryer në 13 vitet e fundit:
Rilindja e Specialistave (siç thoshte Pjetër Arbnori).
Specialistët 2.0, sikur mos të ishte për njëmijë e një skandalet e halete që shpërthejnë çdo
ditë nga pusetat e tyre, duhet të hyjnë njëherë në historinë e sotme, si të pafytyrët më të
mëdhenj ndaj emrave të fisëm. Frashërit, Fishta, De Rada. Balla, Balluku, Veliajt. Mua më
vjen ndot veç t’i afroj këto emra.
Për të mos ngelur mbrapa, së fundmi partia që njeh veç një kryetar e disa lëpirësa që si
shqiten, pra Partia Demokratike, është futur në garë me një emër specialist. Ripërtëritja!
Bukur. Do këshilloja: këndellja, kërthndezja, përvashja (fjalë e krijuar nga De Rada).
Përvashja e Sali Berishës. Ose: Përplakja në karrige për hallet e konakut. Këta që janë
gjithmonë në kilometrin e fundit, por po vrapojnë drejt ‘92! Dhe atje nuk besoj se do gjejnë
njeri.
Kryeministri Rama, tinëzari më i madh i gjuhës shqipe në njëzet vitet e fundit, po don tani
mbas 13 vitesh blozë në qeverisje të na tregojë se ne nuk e kuptojmë vizionin e tij të
zhvillimit.
Vizioni i tij fillon nga përbaltja e fjalës Rilindje. Dikush që rrenë aq fortë në emër, si mund t’i
besohet për gjithçka tjetër?
Po ju jap dy tre shembuj e parë që më vijnë në mend, se ka pafund. Emri i Redi Strugës,
kodoshit që po merrej me punimet në Zvërnec (ku nuk ka ende një projekt, siç thotë Rrenci
përbindësh, po ka traktora që bëjnë gjurmime mjedisore) ka ndërtuar pak kohë më parë një
pjesë të rrugës që çon në Pogradec. A ishin këtu kur kjo rrugë u bllokua për një shkarje
dheu, e ku-ku, varresh, për më shumë se një javë, dhe ngeli juglindja e vendit pa furnizime e
pa qarkullim? Apo janë gjëra që harrohen?
A ishte këtu tinëzari i gjuhës shqipe kur Vlora pak muaj më parë ngeli pa ujë për katër ditë
për dy metra tub? E u çuan i madh e i vogël nga Rilindja, t’a marrin në Stamboll, e t’a
trumbetojnë si punë të madhe? “Ne – thonte Ai që zgjohet katolik, ha drekën budist e ngryset
dervish – ne nuk e lemë mbrapa popullin tonë! Ashtu.” Më kujtohen akoma ato thirrjet
dëshpëruese: Duam ujë oreee, të laahemi!
Marinës së Durrësit e tellallosur si investimi i shekullit, shikojini si po rrëshqasin që tani
pallatet e reja të x-it miliarder i një stërfuqie marramendëse, që zbuloi Shqipërinë falë vizionit
të Ramës; nuk i dëgjohet më as zëri, aq i pisët është si “zhvillim”.
Po si tani Ti që nuk ndërton mirë një copë rruge të shkretë, nuk ke dy metra tub uji, po të
shkasin pa i ndërtuar pallatet në Marinën e Durrësit, do të sjellësh zhvillim?
Rrencit përbindësh po i kundërvihet një vizion tjetër. Një zhvillim me një progres të vërtetë që
vjen nga flamingot! Ku i dihet, duke ruajtur një shtëpi të madhe për to, do dimë të ndërtojmë
një folé të përbashkët nesër

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit