Historia e trilluar e “miliardave” të Kushnerit që po largohen nga Zvërneci për të shkuar në Mykonos u përhap nga propaganduesit e establishmentit me një shpejtësi skëterrë nëpër rrjete sociale, duke me kujtuar shprehjen e famshme të Mark Tuenit: “sa të mbathë e vërteta këpucët, mashtrimi ka bërë xhiron e botës”. Ky fake news është një rast tipik i një fushate të dezinformacionit që po përpiqet të dekurajojë masat e protestuesve të “Revolucionit Flamingo” që po mbushin jo vetëm Tiranën, por edhe sheshet e qyteteve të tjera të vendit dhe diasporës.
Kryeministri ka të drejtë kur flet për luftë hibride, sepse është vetë në krye të saj. Që në ditën e parë të protestës u shpalosën teknikat klasike të luftës hibride që nisën me përhapjen e narrativave të pavërtetuara, delegjitimimin e zërave kritikë, konfuzionin e shtuar mes propagandës dhe informacionit, si dhe përpjekjen për të paraqitur çdo kundërshtim qytetar si pjesë të një komploti më të madh. Nëse më 21 janar 2011 qeveria e asaj kohe fantazononte për ‘çadra me thika’ dhe ‘stilolapsa-pistoletë’, sot propaganda flet për një megakomplot absurd greko-iraniano-sorosiano-anti-amerikan-zionist.
Por të kthehemi pak tek rasti konkret i fake news për kërcënimin se investimi i Kushnerit mund të braktiste Shqipërinë për të shkuar në ishullin Mikonos. Fillimisht ai u publikua nga Gazeta Journal, një portal periferik në Kosovë, në pronësi të Fitim Çekut, i njohur për afërsinë e tij publike me qarqe pranë Richard Grenellit dhe për ndërveprimet e shpeshta në rrjetet sociale me të. Më pas botimi i tij u mor nga Greek City Times, një portal i diasporës greke në Australi, i cili nuk përbën pjesë të medias kryesore greke si Kathimerini, Ta Nea apo Naftemporiki. Megjithatë. Sapo lajmi fitoi “pasaportën” e një mediaje të huaj filloi të riciklohej në Shqipëri sikur të ishte konfirmuar nga shtypi grek dhe jo thjesht i riprodhuar nga një portal i vogël që citonte një portal tjetër po aq periferik.
Ky mekanizëm të kujton një teknikë të njohur të prodhimit të autoritetit mediatik që është përdorur edhe më parë në politikën shqiptare. Gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2007, fotografitë nudo të Edi Ramës ndoqën një trajektore të ngjashme. Materiali me origjinë shqiptare u transferua fillimisht në revistën Fokus, një media tabloide periferike në Sarajevë larg mediave kryesore boshnjake si Klix apo Dnevni Avaz. Vetëm pasi kishte marrë vulën e një “burimi të huaj”, ai u rikthye në Shqipëri dhe u riprodhua tek Gazeta Tema dhe media të tjera si lajm me peshë ndërkombëtare. Në të dy rastet, forca e historisë nuk buronte nga provat apo verifikimi i pavarur, por nga fakti se informacioni kishte bërë një xhiro jashtë vendit dhe ishte rikthyer me autoritetin artificial të një lajmi të huaj.
Në literaturën mbi propagandën dhe dezinformimin ky njihet si efekti i validimit të jashtëm. Informacioni nuk fiton besueshmëri sepse është verifikuar, por sepse është larguar mjaftueshëm nga origjina e tij për të fshehur gjurmët. Kjo teknikë funksionon sepse shfrytëzon një paragjykim të njohur psikologjik: njerëzit priren t’u besojnë më shumë informacioneve që vijnë nga një distancë e caktuar sesa atyre që prodhohen në mjedisin e tyre të afërt. Distanca e “orakullit të largët” krijon iluzionin e objektivitetit dhe neutralitetit sepse funksionon si një lloj pastrimi simbolik. Lexuesi nuk sheh më burimin fillestar, interesat që mund ta kenë prodhuar apo motivet politike pas tij; por sheh vetëm faktin që “e kanë shkruar mediat e huaja”, pra pasaportën e lajmit.
Por, ajo që e bën këtë teknikë jo vetëm të dallueshme, por edhe të trashë është fakti se mbështetet mbi një keqkuptim themelor të natyrës së protestës dhe ofron një lajm që vështirë se gëlltitet nga kushdo që ka dy pare mend. Së pari ajo supozon se njerëzit kanë dalë në shesh sepse nuk e kuptojnë sa të vlefshme janë miliardat dhe se mjafton t’u tregosh një histori për investime që po ikin drejt Mykonosit që ata të kthehen në shtëpi. Problemi është se protesta nuk lindi nga mungesa e informacionit ekonomik por sepse një pjesë e shoqërisë nuk e pranoi më logjikën sipas së cilës çdo projekt duhet pranuar pa pyetje vetëm sepse vjen i paketuar me një shifër të madhe investimi. Protesta nuk lindi nga një debat abstrakt mbi investimet e huaja por nga një seri pikëpyetjesh konkrete mbi procesin, transparencën, nëpërkëmbjen e banorëve të zonës; respektimin e pronës private që është ende nëpër gjyqe; statusin e zonës së mbrojtur, barazinë para ligjit; marrëdhënien midis interesit publik dhe privat, si dhe mbi mënyrën se si merren vendimet për pasuritë natyrore të vendit. Nëse pas kaq ditësh protestash dikush ende mendon se çështja është thjesht “pro investimit” apo “kundër investimit”, atëherë ose nuk e ka kuptuar debatin, ose po bën sikur nuk e kupton.
Kjo është arsyeja pse tentativa artificiale për ta reduktuar gjithçka në formulën “ose projekti, ose humbja e miliardave” nuk arrin ta kapë thelbin e debatit duke supozuar se qytetarët po protestojnë kundër investimit si koncept. Por shumica e diskutimit publik nuk ka qenë kurrë rreth ekzistencës së investimit por rreth kushteve të dyshimta tij dhe pasojave afatgjata. Me fjalë të tjera, rreth pyetjeve që në çdo demokraci normale do të konsideroheshin pjesë e natyrshme e procesit të vendimmarrjes. Strumbullari i këtij modeli investimi e di shumë mirë se në demokracitë perëndimore projekte të tilla kalojnë vite të tëra filtrash institucionalë, konsultimesh publike dhe kontrollesh ligjore. Prandaj nuk është rastësi që investimet e tij janë përqendruar kryesisht në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, ku marrëveshjet negociohen shumë më lehtë drejtpërdrejt me sundimtarët sesa me institucionet, ligjet, standardet dhe qytetarët.
Kjo është arsyeja e dytë pse sajesa e Mykonosit tingëllon kaq artificiale e qesharake sepse e trajton sikur këto miliarda investim të mund të ndryshoheshin sikur të bëhej porosia në Wolt, mbasi spo ma japin këtu po e blej tek ky restoranti tjetër. Sepse kushdo që njeh sadopak realitetin grek, sidomos të ishujve Ciklade (e nuk i ka parë vetëm në Instagram) e di se sa peripeci duhen kapërcyer për të marrë miratimin e një projekti sidomos kur lidhet me ndikimin në burimet e ujit dhe rrymës, kapacitetin e infrastrukturës, mbrojtjen e peizazhit, arkitekturën tradicionale apo mbingarkesën turistike. Të pretendosh se një megaprojekt i kontestuar në Shqipëri do të gjente strehë më të lehtë pikërisht në Muykonos është njësoj si të është njëlloj si të marrësh një borxh me fajde tek mafiozi i lagjes për të shlyer një kredi pa interes.
Thënë ndryshe, projekte të shkallës së Kushnerit nuk zhvendosen si qiramarrës nga një apartament në tjetrin; ato kërkojnë vite planifikim, studime, konsultime dhe përshtatje me kapacitetin mbajtës të territorit. Greqia ofron faktikisht një shembull si shtet shumë pro-investimeve dhe pro-turizmit por që nuk i shmang debatet publike dhe filtrat institucional. Madje projekte shumë më të vogla se ky i Kushnerit, kalojnë dekada të tëra me planifikime e rishikime, konsultime publike; apelime administrative; procese gjyqësore konsulta e protesta lokale; analiza financimi etj etj.
Koncepti i Costa Navarinos në Greqi që përmend kryeministri si model për t’u imituar; ka nisur nga vitet 80-të dhe ka kaluar nëpër shumë filtra e diskutime përpara se të materializohej e të hapej në 2010. Ska lidhje me vendimet e fshehta tak-fak tonat ku na vjen vajza e presidentit me dhëndrin në 2021 me jaht dhe ia vënë syrit bllokut me tre parqe natyrore të Shqipërisë dhe mandej kryeministri me zell të madh nis e ia ndërton aeroportin më të madh në vend si dhe ndryshon ligjin për zonat e mbrojtura për t’ua hapur rrugën rrethimit dhe ruspave në 2026.
Poashtu projektit Ellinikon (zhvillimit më të madh urban dhe luksoz në historinë moderne të Greqisë) iu deshën gati dy dekada nga mbyllja e aeroportit të vjetër të Athinës në 2001 deri në fillimin real të punimeve. Gjatë kësaj kohe kaloi nëpër privatizime, ndryshime qeverish, procese gjyqësore, studime mjedisore, vlerësime arkeologjike, debate publike, kundërshtime politike dhe negociata të gjata me investitorët. Vetëm pas njëzet vitesh planifikim dhe shqyrtim institucional u vendos guri i parë. Në rastin e Portit të Durrësit, prona publike më e vlefshme dhe strategjike e vendit iu vu në shërbim me një të rënë të lapsit investitorit nga Emiratet. Punimet nisën gjithashtu tak fak ndërkohë që porti më i madh dhe më i vjetër i Shqipërisë ende nuk ishte mbyllur dhe porti zëvendësues në Porto Romano nuk ka filluar ende të ndërtohej. Paradoksi është se infrastruktura e re që duhet të zëvendësojë funksionet e portit ekzistues do të financohet kryesisht me taksat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa përfitimet kryesore të transformimit urban hyjnë në xhepa privatë. Prandaj ideja se një projekt miliardësh si ky i Zvërnecit zgjohet një mëngjes në Vlorë dhe pasdite transferohet në Mykonos është fantazi banale.
Por edhe si propagandë është një argument tejet i dobët e naiv. Sepse kërkon që publiku të besojë shumë gjëra kontradiktore njëkohësisht. Nga njëra anë, na thuhet se kemi të bëjmë me një nga investitorët më të mëdhenj, më seriozë dhe më të sofistikuar në botë. Nga ana tjetër, na kërkohet të besojmë se ky investitor sillet si një turist impulsiv që anulon rezervimin turistik sapo lexon disa statuse në Facebook apo sheh disa protesta në televizor. Nuk mund të jenë të vërteta të dyja.
Nëse investitori është aq serioz sa pretendohet, atëherë ai e di shumë mirë se protestat, debatet publike, kundërshtimet dhe proceset e konsultimit janë pjesë normale e jetës demokratike në çdo vend perëndimor. Nëse përkundrazi një projekt miliardësh mund të shembet e diskreditohet globalisht nga pak ditë debat publik, atëherë problemi nuk është protesta; problemi është projekti.
Në fund, dobësia më e madhe e kësaj narrative dezinformuese, është se ajo nuk arrin të kuptojë arsyen pse protesta vazhdon. Njerëzit nuk vazhdojnë të protestojnë sepse nuk kanë dëgjuar ende për miliardat. Ata vazhdojnë të protestojnë sepse pyetjet që i sollën në protestë mbeten pa përgjigje. Dhe sa herë që në vend të përgjigjeve ofrohen histori gjithnjë e më fantastike për investime që fluturojnë nga njëri ishull në tjetrin, krijohet përshtypja se pushteti nuk po përpiqet më të bindë, por thjesht të shpërqendrojë.
Ky është momenti kur propaganda dhe lufta hibride me përralla fillon të bëhet kundërproduktive. Sepse në vend që të delegjitimojë protestën, ajo ka efekt boomerang dhe fillon të delegjitimojë vetveten duke thelluar mosbesimin. Sa më e madhe bëhet distanca midis pyetjeve reale dhe historive që përdoren për t’iu shmangur atyre, aq më shumë publiku fillon të kuptojë se problemi nuk është mungesa e argumenteve nga ana e protestuesve, por mungesa e përgjigjeve nga ana e atyre që duhej t’i jepnin.
Adri Nurellari: Përralla lakuriqe, stilolapsa pistoletë dhe dezinformimi me “largimin” e investimit në Mykonos









