Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Enea Zyferin, kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakajt, një person i shpallur në kërkim si i dyshuar për rrëmbimin e 34-vjeçarit Eglant Koci, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor.
Sipas hetimeve paraprake, Zyferi është arrestuar nga Policia e Tiranës nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë, ai ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen, duke deklaruar se nuk ka dijeni për rrethanat e rrëmbimit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se provat e mbledhura deri më tani, si ato rrethanore ashtu edhe shkencore, ngrenë dyshime se 35-vjeçari mund të jetë vrarë dhe më pas trupi i tij të jetë zhdukur. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë./ Euronews









