CYRIH – Në Bibliotekën Pestalozzi në Cyrih u zhvillua mbrëmja tematike me titull “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog”, organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në bashkëpunim me LIDHJEN SHQIPTARE NË BOTË.
Në panelin e diskutimit morën pjesë drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, juristi Nazmi Jakurti, akademiku dhe diplomati Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, si dhe filantropi Lazim Destani. Në aktivitet ishin të pranishëm edhe veprimtarë, intelektualë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Takimi u hap nga Nazmi Jakurti, i cili shprehu mirënjohjen ndaj drejtoreshës së bibliotekës, Suela Jorgaqi, delegacionit të ardhur nga Shqipëria dhe të gjithë pjesëmarrësve. Ai bëri të ditur se një ditë më parë çështja çame ishte trajtuar edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke njoftuar se Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” kishte dorëzuar dokumentacionin përkatës lidhur me këtë çështje. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe të një trajtimi dinjitoz të kësaj teme historike.
Filantropi Lazim Destani falënderoi organizatorët për ftesën dhe shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit.
Më pas, gazetari dhe publicisti Enver Robelli foli për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë, duke përmendur sfidat me të cilat ata përballen në rajon. Ai nënvizoi nevojën për një mobilizim dhe bashkëpunim më të gjerë në nivel kombëtar.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtoresha e Bibliotekës Pestalozzi, Suela Jorgaqi, e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe prezantoi fondin e librave në gjuhën shqipe që disponon biblioteka. Ajo bëri të ditur se në përfundim të aktivitetit të pranishmit do të kishin mundësinë të vizitonin ambientet e bibliotekës dhe të njiheshin nga afër me koleksionin e saj.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte paraqitja e një grupi të udhëhequr nga stilistja Balaj Flora. Katër pjesëmarrës të veshur me kostume tradicionale çame surprizuan delegacionin e ardhur nga Shqipëria, si dhe të gjithë të pranishmit në sallë.
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi trajtoi gjerësisht historinë e Çamërisë, duke ndalur vëmendjen te zhvillimet historike dhe sfidat me të cilat është përballur popullsia çame ndër vite.
Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama u përqendrua te dimensioni njerëzor i çështjes çame, duke shprehur shqetësimin e tij për humbjen graduale të identitetit dhe trashëgimisë kulturore të çamëve që jetojnë në Greqi.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku u fokusua në zhvillimet më të fundit historike, duke trajtuar aspektet që lidhen me të drejtat dhe mënyrën e trajtimit të komunitetit çam në periudha të ndryshme.
Në fjalën e tij, Alket Veliu vlerësoi bashkëpunimin me Lidhjen Shqiptare në Botë dhe organizatat shqiptare brenda e jashtë trojeve shqiptare. Ai rikujtoi kontributin e shqiptarëve çamë gjatë luftës në Kosovë, duke bërë paralele mes përvojës historike të dëbimit të popullsisë çame dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës. Gjithashtu, Veliu prezantoi aktivitetet e fondacionit dhe theksoi nevojën që çështja çame të trajtohet më gjerësisht në tekstet shkollore.
Në vijim, Nazmi Jakurti ritheksoi se mes shqiptarëve nuk duhet të ketë dallime, ndërsa vlerësoi kontributin e gazetarit veteran Rexhep Rifati.
Rexhep Rifati ndau përvojat e tij nga vizita në Çamëri, duke folur për trashëgiminë historike dhe kulturore të krahinës, si dhe për ngjashmëritë që ekzistojnë mes komuniteteve shqiptare të shpërndara në vende të ndryshme.
Pjesa e fundit e aktivitetit iu kushtua diskutimit të hapur me pjesëmarrësit, të cilët parashtruan pyetje dhe ndanë mendimet e tyre mbi çështjen çame dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në rajon.
Mbrëmja u mbyll me një vizitë në ambientet e bibliotekës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me fondin e librave në gjuhën shqipe dhe të zhvillonin biseda e njohje të mëtejshme në një atmosferë miqësore./ Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”









