Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar një cisternë nafte të dyshuar si pjesë e “flotës në hije” të Rusisë, në një operacion të gjerë në Kanalin Anglez që zgjati rreth gjashtë orë. Autoritetet britanike e konsiderojnë këtë ndërhyrje si pjesë të përpjekjeve për të goditur rrjetet që përdoren për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare ndaj Moskës.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se operacioni dërgon një mesazh të qartë ndaj atyre që ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Nuk do t’u lejohet të fshihen”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se Britania do të vijojë veprimet kundër anijeve të përfshira në atë që njihet si “flota në hije” e Kremlinit.









