Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se situata e krijuar nga protestat po sjell pasoja në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar për anulime të rezervimeve nga turistët e huaj dhe ndikim negativ në ekonomi.
Në podcastin “Flasim”, Rama tha se ka marrë sinjale nga operatorët turistikë për rënie të rezervimeve për sezonin veror.
“Kam marrë shumë mesazhe nga operatorët turistikë, të cilët raportojnë anulime rezervimesh për sezonin veror. Natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që thuhet: ‘Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!’. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rrinte pas fakti që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.
Në Vlorë janë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante dhe bare që janë të bashkuar në këtë sensibilizim, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse çdo dëm është i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë personave të lidhur me turizmin, për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi.
Nëse nuk garantojmë një sezon të qetë turistik, atëherë ato të ardhura që priten normalisht nga turizmi rrezikojnë të mos realizohen. Dhe kjo do të ishte një humbje që prek të gjithë,” u shpreh Rama.









