Protesta para Kryeministrisë në Tiranë ka vijuar edhe në ditën e 16-të radhazi, me mijëra qytetarë që kanë kërkuar largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit, një prej protestuesve hodhi idenë e rrethimit paqësor të Parlamentit dhe Kryeministrisë, si formë presioni ndaj qeverisë.
Duke folur nga podiumi i improvizuar, ai u bëri thirrje qytetarëve të shmangin përplasjet me forcat e rendit dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.
“Të rrethojmë Parlamentin dhe Kryeministrinë në mënyrë paqësore. Pa u përplasur me policinë se janë vëllezërit tanë. Rama të tregohet i zgjuar. Të japë dorëheqjen dhe të mos provokojë popullin shqiptar”, u shpreh protestuesi.
Në fjalën e tij, ai artikuloi kritika edhe ndaj klasës politike në tërësi, duke përmendur si kryeministrin Rama ashtu edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa kërkoi një qeverisje të re dhe vazhdimin e protestave qytetare.









