Rugovë Sinani, vajza e dëshmorit të kombit Tahir Sinani, ka reaguar ashpër pas publikimit të një letre nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cila sipas saj përfshin emra të pjesëtarëve të UÇK-së që kanë marrë pagesa dhe i cilëson ata si “mercenarë”.
Sinani e ka quajtur këtë veprim një fyerje të rëndë ndaj figurës së babait të saj, duke theksuar se emri i Tahir Sinanit, të cilin ajo e përshkruan si një nga komandantët dhe dëshmorët e shquar të luftërave për çlirim, është vendosur në një kontekst që cenon sakrificën e tij.
Ajo shprehet se publikimi i një liste të tillë, sipas saj e paqartë dhe pa specifika, përbën një “poshtërim” të kujtimit të atyre që ranë për lirinë e trojeve shqiptare.
Postimi i Rugova T. Sinani
Sapo pashë letrën e publikuar nga Taulant Balla, kinse një listë me emrat e marcenarëve në UÇK, se kështu i quaka ai luftëtarët e lirisë. Një letër gjysmake, pa specifika, ku në krye qëndron emri i babait tim, Heroit të Kombit Tahir Sinani. Njeriu që sakrifikoi çdo gjë për çeshtjen kombëtare, çlirimtari i tre luftërave. Sot Taulant Balla, një mbetje e Politikës shqiptare, përdhos dhe fyen emrin dhe gjakun e babait tim.
TURP!!!!
Vetëm një i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Taulant Balla urgjentisht ti duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën! Gjaku i tij do jua thejë qafën ty e gjithë atyre që prekin te plaga që hala dhemb.
Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike. E në qoftë se nuk e njeh ti Tahir Sinanin e njeh gjithë shqiptaria. Ai shkoi me lavdi po ti ça do lësh mbrapa?! Turp për ty!
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Detyra juaj është të mbroni të drejtat e veteranve, të familjeve të dëshmorve dhe vlerave të luftës dhe jo të merreni me politikë nën petkun e UÇK-së nëpërmjet kësaj organizate. Përndryshe të shpërbëheni menjëherë si grup drejtues dhe të drejtohet nga persona që ja dinë vlerën luftes e gjakut të dëshmorve.
Pas gati 25 vitesh nga rënia dëshmor e babit të përjetosh këtë poshtërim është e rëndë!









