Aktori i njohur Bujar Asqeriu, në një intervistë televizive ka reaguar lidhur me protestat masive të cilat prej ditësh mijëra qytetarë kërkojnë largimin e kësaj qeverie, i cili ka shprehur shqetësimet reale që prekin shoqërinë shiqptare.
“Kur popullit i verdhet fytyra nga mungesa e bukës, e kur qeveria nuk plotëson nevojat që ka kombi, ta detyrojmë ne. Ka filluar një politikë e tmerrshme emigracioni dhe shkombëtarizimi. Ne duhet të protestojmë dhe të ngremë zërin”, shprehet Asqeriu.
Ndër të tjera Asqeriu tha: Jam në mbështetje absolute të protestës suaj paqësore, të dhimbshme, kurajoze, trimërore. Migjeni do të thoshte: ‘Rini, rini, thuaja këngës më të bukur që di!’ Dhe ju po thurni dhe po këndoni këngën e lirisë. Ju po këndoni këngën e qëndresës. Ju po këndoni këngën e guximit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi. Ju do ta bëni Shqipërinë më të bukur, më të fortë dhe më të fuqishme në Ballkan dhe në Europë. Për këtë, ju përgëzoj dhe ju nderoj pamasë.









