Në historinë e qeverive maqedonase ka pasur shumë ndryshime, por nuk ka ndonjë analizë nëse dhe në çfarë mase ato sollën rezultate më të mira. Vlerësimi zakonisht jepet nga qytetarët në zgjedhje.
Jo rezultatet, por prioritetet e përcaktuara rishtazi do ta riformësojnë përbërjen e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, e cila po përballet me ndryshimin e parë të madh pas dy vitesh mandati.
“Secili ndryshim nuk bëhet vetëm për shkak të rezultateve, pavarësisht nëse ishin të mira apo jo mjaftueshëm të mira, ose ndoshta nuk pati fare rezultate”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski.
“Ndonjëherë rindërtimi i qeverisë bëhet sepse prioritetet ndryshojnë. Ndoshta këto prioritetekishin një formë dy vjet më parë, pas dy vitesh kanë një formë tjetër. Dhe është logjike që partnerët e koalicionit qeveritar, pas këtyre dy viteve do t’i përmirësojnë prioritetet e tyre dhe aty ku munden, do të kontribuojnë më shumë. Mendoj se ky ndryshim do të jetë i tillë”, shpjegoi Kryeministri në një intervistë për MRT-në, duke pritur që qeveria e rindërtuar ta përfundojë mandatin e saj me shumë sukses.
Gjithçka do të dihet pas seancës së KE
Ky nuk do të jetë riformatimi i parë i Qeverisë. Tashmë ka pasur një, por ishte një mini-rindërtim që pasoi zgjedhjet lokale. Largimi i Izet Mexhitit në pozicionin e kryetarit të komunës së Çairit la dy pozicione të lira – Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Para fundit të vitit 2025, Muhamed Hoxha mori përsipër Ministrinë e Mjedisit, ndërsa u zgjodh Zëvendëskryeministër i Parë, por edhe Ministër i Çështjeve Evropiane, duke marrë këtë post nga Orhan Murtezani.
Në pritje të rindërtimit të madh, emrat e kandidatëve potencialë për ministra të rinj dhe mundësia e një riorganizimi të disa departamenteve midis partnerëve janë përmendur në publik për një kohë të gjatë. Megjithatë, Mickoski tha se përgjigjet do të dihen pas seancës së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, e cila do të mbahet të martën e javës së ardhshme.
Minusi i thellë…
Pamja e rezultateve të Qeverisë në dy vitet e fundit është thellësisht kundërthënëse. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikon çdo ditë se Qeveria premtoi një jetë më të mirë, por nuk realizoi asgjë dhe se qytetarët jetojnë më keq.
“Kur dëgjoj që thonë se 90% nuk ??u realizua, nuk di çfarë të them. Por ata tregojnë gjërat e tyre, ne tregojmë të vërtetën tonë”, thotë Mickoski.
Duke krahasuar situatën në kohën kur Qeveria filloi mandatin e saj me situatën e sotme, ai vlerëson se është shumë më mirë se dy vjet më parë.
“Dy vjet më parë e dinim se situata ishte e vështirë, se ishte keq. Por më besoni, kjo është ‘poezi’ krahasuar me atë se çfarë gjetëm vërtetë dy vjet më parë. Ne filluam jo nga e para, por nga një minus i thellë. Dhe kjo është arsyeja pse pas dy vjetësh mund të them se më në fund jemi konsoliduar dhe jemi të gatshëm të ecim më shpejt përpara. Pres që me këto ndryshime në kabinet dhe me prioritetet e ripërcaktuara, të cilat janë brenda kornizës së programit qeveritar, ne do t’i përmbushim zotimet që u kemi dhënë qytetarëve”, thotë Mickoski.
Ai thotë se është krenar për të gjithë anëtarët e Qeverisë. “Ne arritëm të konsolidojmë sistemin që u shkatërrua, pas një kataklizme që shkatërroi sistematikisht vendin”, tha Kryeministri për qeveritë e mëparshme të LSDM-së.
Kodi i sjelljes
Megjithatë, ditët e fundit, Kryeministri ka qenë kritik ndaj sjelljes së disa përfaqësuesve të paidentifikuar të ekzekutivit. Në festimin e 36-vjetorit të partisë, ai theksoi se po monitoron shkeljet e kodit të sjelljes.
“Kam marrë ankesa se disa ministra dhe drejtorë janë të paarritshëm për njerëzit, dhe ka nga ata për të cilët udhëtimet private janë bërë më të preferueshme sesa vizitat në fshatra dhe qytete (…) Ne jemi këtu për t’i shërbyer njerëzve”, tha ai.
Mickovski pohon se nuk do të tolerojë pasionin për privilegjet e ofruara nga qeveria dhe se nuk do të pranonte justifikime nga asnjë zyrtar i emëruar se ishin të lodhur. Ai u tha të lodhurve se do të ishte më e ndershme që ata të largohen.
Në historinë e qeverive maqedonase, ka pasur shumë herë ndryshime, por nuk ka analiza nëse dhe në çfarë mase ndryshimet kanë dhënë rezultate. Një “vlerësim” i tillë zakonisht u lihej qytetarëve, në zgjedhje të rregullta ose të parakohshme.
Mandati i plotë i qeverisë së Mickoskit përfundon në prill të vitit 2028. “Në fillim të vitit 2028, do të kemi përsëri një qeveri teknike (…) dhe kjo do të thotë që nga ky moment – ka një vit e gjysmë deri në zgjedhje të rregullta”, tha Mickoski./ DW









