Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi ambientet e reja të spitalit të Peqinit, ku po realizohet një investim i Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për krijimin e një Qendre Ekselence Terapeutike dhe Rehabilituese.
Struktura do t’u ofrojë shërbime fëmijëve me aftësi të veçanta nga mosha 0 deri në 18 vjeç, me synimin për të përmirësuar aksesin në kujdesin e specializuar.
Gjatë inspektimit, Koçiu u shpreh se qendra e re do t’u mundësojë fëmijëve me nevoja të veçanta të marrin shërbimet e nevojshme më pranë vendbanimit të tyre.
Ajo nënvizoi gjithashtu se, paralelisht me këtë investim, qeveria ka vendosur të dyfishojë pagesën mujore për rreth 11 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, ndërsa rreth 14 mijë kujdestarë, prindër dhe familjarë do të përfitojnë për herë të parë njohjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.









