Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hita kanë vizituar në spital dy prej efektivëve të policisë të plagosur gjatë protestës së sotme para parlamentit. Në një deklaratë për mediat, Lamallari tha se autorët kanë sulmuar shtetin dhe rendin kushtetues, ndërsa shton se do të kenë fatin si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament.
Fjala e Lamallarit
Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim.
Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë.
Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit.









