Organizata “Qëndresa Qytetare” ka reaguar pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari për protestuesin Niko Qarkaj duke i cilësuar ato si kërcënuese ndaj avokatit Gentian Serjani dhe duke kërkuar reagimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Teksa publikohet një video e protestuesit Niko Qarkaj, i cili pretendon se është dhunuar nga policia, “Qëndresa Qytetare” thotë se nëse kjo provohet ministri i Brendshëm do të duhet të japë dorëheqjen.
“Qëndresa Qytetare dënon deklaratat e Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për ndjekje penale dhe procedim disiplinor ndaj avokatit Gentian Sejrani.
Një avokat ka detyrimin të përfaqësojë dhe të bëjë publike pretendimet e klientit të tij. Kërcënimi i tij për shkak të ushtrimit të profesionit është i papranueshëm dhe cenon të drejtën e çdo qytetari për mbrojtje ligjore.
Është shqetësuese që Ministri zgjedh të intimidojë avokatin përpara se të bëhen publike dhe të verifikohen provat, si pamjet e kamerave trupore të policisë, kamerat e ambienteve ku është mbajtur protestuesi dhe dokumentacioni mjekësor. Pretendimet për dhunë hetohen me prova, jo me presion ndaj mbrojtësve ligjorë.
I bëjmë thirrje Dhomës Kombëtare të Avokatisë të reagojë menjëherë në mbrojtje të pavarësisë së profesionit të avokatit. Nëse provohet se ndaj protestuesit është ushtruar dhunë, përgjegjësia politike duhet të jetë e menjëhershme dhe Ministri i Brendshëm duhet të largohet nga detyra”, thuhet ne reagim.
Lamallari kërcënon avokatin: S’e kemi rrahur protestuesin në qeli!









