-sidi education-spot_img
29.9 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Vrasja e Enea Mekollit/ Hita i dorëzon medaljen familjes: S’do jeni kurrë vetëm!

Kryesoret

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i dorëzon familjes së Dëshmorit të Atdheut medaljen e mirënjohjes, akorduar Inspektorit Enea Mekolli, pas aktit të tij sublim në krye të detyrës.

Djali i Dëshmorit të Atdheut tashmë ka statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Me rastin e ditëlindjes së djalit të Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, zhvilloi një vizitë në familjen Mekolli.

“E di që asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë Enean. Unë nuk jua kthej dot Enean tonë, por dua t’ju siguroj se nuk do të jeni kurrë vetëm. Unë, Policia e Shtetit, çdo punonjës policie, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të jemi gjithmonë pranë jush, për t’ju mbështetur në çdo nevojë dhe në çdo moment.

Djali i Eneas mbushi një vjeç. Është një ditëlindje e mbushur me dhimbje për mungesën e babait, por edhe me krenari për trashëgiminë që ai i ka lënë.

Djali i Dëshmorit tonë tashmë ka statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dhe deri në përfundimin e arsimit të lartë, do të përfitojë pagën e plotë të Eneas, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon ligji. I urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe mbarësi këtij engjëlli. Urojmë që të rritet me krenarinë se babai i tij dha jetën në shërbim të atdheut dhe të qytetarëve”, u shpreh Hita.
Drejtori i Përgjithshëm i dorëzoi familjes dokumentacionin që njeh djalin e Dëshmorit me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, medaljen e mirënjohjes të akorduar Inspektorit Enea Mekolli për aktin sublim në krye të detyrës, si dhe çekun simbolik me vlerën 7 milionë lekë të rinj (shumë e transferuar në llogarinë bankare), kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit në shenjë solidariteti për familjen e Dëshmorit.
“Ky është një kontribut i mbledhur me zemër nga punonjësit e Policisë së Shtetit, si një shenjë respekti, mirënjohjeje dhe solidariteti për sakrificën sublime të Eneas, si dhe mbështetje për familjen e Dëshmorit të Atdheut.
Ne kemi detyrimin moral dhe institucional të kujdesemi për familjen e tij dhe këtë detyrim do ta përmbushim me përgjegjësi dhe përkushtim.

Ju humbët djalin tuaj, ne humbëm një koleg, një mik dhe një punonjës policie shembullor. Por emri dhe sakrifica e Eneas nuk do të harrohen kurrë. Ne do të qëndrojmë pranë jush, ndërsa kujtimi i tij do të jetojë përherë në zemrat tona, në historinë e Policisë së Shtetit dhe në nderimin e gjithë shqiptarëve”, shrehet ndër të tjera Hita.

Familjarët e Dëshmorit, mes dhimbjes dhe krenarisë, falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, për mbështetjen e vazhdueshme që nga dita kur Enea ra Dëshmor i Atdheut në krye të detyrës.

Ata shprehën mirënjohjen edhe për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për solidaritetin dhe kontributin e dhënë në mbështetje të familjes së tyre.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit