-sidi education-spot_img
21.7 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Të gjitha bizneset po detyrohen të dorëzojnë bilanc

Kryesoret

Vijon debati mes Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe Aleancës së Profesionistëve të Lirë (APL) për detyrimin e depozitimit të pasqyrave financiare për bizneset e organizuara si persona juridik dhe shpk me xhiro vjetore nën 5 mln lekë.

Prej disa ditësh, sipas Aleancës së Profesionistëve të Lirë, nga QKB po u kërkohet bizneseve dorëzimi i pasqyrave financiare pavarësisht nivelit të xhiros vjetore. Kjo ka shkaktuar debat mes institucioneve dhe shoqatave të biznesit, të cilat argumentojnë se kërkesa nuk mbështetet në kuadrin ligjor në fuqi. Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se bizneset që nuk depozitojnë pasqyrat financiare rrezikojnë masa administrative deri në 60 mijë lekë.

Më 6 korrik, Aleanca e Profesionistëve të Lirë i dërgoi një shkresë QKB-së, ku kërkoi një sqarim zyrtar nëse bizneset me xhiro nën 5 mln lekë janë të detyruara të depozitojnë pasqyrat financiare. Sipas Aleancës, legjislacioni aktual për kontabilitetin dhe “Për tatimin mbi të ardhurat” përcaktojnë se ky detyrim zbatohet vetëm për bizneset me të ardhura mbi këtë kufi.

Pas shqetësimeve të ngritura nga profesionistët e lirë, QKB ka reaguar duke sqaruar me anë të një shkrese drejtuar profesionistëve të lirë, se institucioni verifikon subjektet që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare bazuar në listat e përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT).

Në përgjigjen e saj, QKB thekson se kompetencat e institucionit përcaktohen nga ligji “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit” dhe se depozitimi i pasqyrave financiare është një e dhënë e detyrueshme për regjistrim sipas ligjit “Për regjistrimin e biznesit”.

Megjithatë, lidhur me përcaktimin e subjekteve që duhet të depozitojnë pasqyrat financiare, QKB sqaron se kryen verifikimin mbi bazën e listave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku identifikohen subjektet që kanë këtë detyrim për secilin vit. Për çdo sqarim mbi përfshirjen në këto lista, QKB i orienton bizneset t’u drejtohen organeve tatimore si institucioni kompetent.

Pas kësaj përgjigjeje, Aleanca e Profesionistëve të Lirë reagoi sërish me një tjetër shkresë drejtuar institucionit, duke theksuar se detyrimi për depozitimin e pasqyrave financiare nuk rregullohet nga legjislacioni tatimor, por nga ligji nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, Standardi Kombëtar i Kontabilitetit nr. 15 dhe aktet nënligjore përkatëse.

Sipas APL-së, legjislacioni tatimor rregullon marrëdhënien mes tatimpaguesit dhe administratës tatimore, ndërsa depozitimi në QKB ka karakter publik dhe deklarativ, pasi pasqyrat financiare bëhen të aksesueshme për të gjitha palët e interesuara. Për këtë arsye, Aleanca e Profesionistëve të Lirë argumenton se përcaktimi i subjekteve që kanë detyrimin për depozitim nuk mund të mbështetet vetëm në listat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në përgjigjen e saj drejtuar QKB-së, APL kërkon që institucioni të referojë dispozitën konkrete ligjore mbi të cilën mbështetet për të zbatuar listat e administratës tatimore në përcaktimin e detyrimit për depozitimin e pasqyrave financiare në QKB, duke argumentuar se vetëm një interpretim i qartë i ligjit mund të shmangë paqartësitë dhe penalitetet për bizneset./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit