Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në faqen e tij facebook ka reaguar lidhur me vlerësimet negative të publikuara në platformat online për një sërë hotelesh, bujtinash dhe restorantesh, duke e cilësuar situatën si një “sulm të organizuar” ndaj sipërmarrjeve shqiptare.
Në postimin e tij Kryeministri Rama shkruan se autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga bloza e terrorit digjital të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan sulme të padëgjuara kriminale mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me dhunë yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve.
Ndër të tjera Rama thekson se policia vijon hetimin e skemës kriminale, ndërsa shton se me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me anë të punës.
Postimi i Ramës
Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve👺
Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm🤡
Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh😍.









