Policia e Lezhës ka finalizuar një operacion kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonat Kurbin dhe Mirditë, ku janë arrestuar tre persona dhe janë asgjësuar 436 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Kontrollet janë kryer në terren nga shërbimet e policisë dhe përmes monitorimit nga ajri me dronë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Në Mirditë u arrestua një 21-vjeçar, i dyshuar se kujdesej për 222 bimë narkotike, ndërsa në Kurbin u arrestuan dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kultivimin e 214 bimëve.
Bimët narkotike u asgjësuan në vend, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme.









