Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka reaguar pas publikimit të raportit nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, i cili konfirmon se Naim Murseli është mendërisht i aftë dhe nuk vuan nga çrregullime psikike. Ai tha se ky ishte një përpjekje e fundit për të shmangur përgjegjësinë penale.
“Naimi këtë e kishte si kartë të fundit për të zvarritur procesin. Tani që kjo u hodh poshtë, presim që drejtësia të veprojë pa vonesa të mëtejshme,” u shpreh ai në një intervistë televizive.
Ademaj e cilësoi Murselin si organizatorin kryesor të vrasjes së motrës së tij, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, ekzekutorin e dyshuar. Ai kërkoi që të tre të marrin dënime maksimale për aktin që tronditi opinionin publik.
“Liridona nuk kthehet më, por ne kërkojmë drejtësi për të dhe një mesazh të qartë kundër krimeve të tilla,” shtoi ai.
Seanca e radhës për çështjen do të mbahet të hënën. Familja e viktimës i ka kërkuar gjykatës që të mos lejojë më zvarritje në këtë proces.