Një grup banorësh të zonës së “5 Majit” protestuan paraditen e sotme në hyrje të parlamentit duke kërkuar nga qeveria dhe deputetët t’ju japin një zgjidhje. Ata u shprehën se letrat e tyre nuk janë marrë në konsideratë. Një nga banorët tha se nuk kërkon as më shumë dhe as më pak, por sikur Lulzim Basha mori lekët për pallatin në Vlorë, ashtu i kërkon edhe ai për shtëpinë e shembur te “5 Maji”. Thanë se nuk kanë ardhur për të kapur deputetët, por i paralajmëruan me kërcënime.
“Mos shikoni vetëm pronat tuaja, por edhe djersën tonë. Ne po kërkojmë sikur Basha i mori me pallatin ne Vlorë. Ku është Basha, ai palaço që nuk vjen te populli. Një pjesë e madhe kanë votuar edhe Lulëzim Bukuroshin, nuk po kërkojmë luksin e tij, por sikur ai mori paratë nga pallati në Vlorë, ashtu kërkojmë edhe në djersën tonë.
Ne protestat do i vazhdojmë, ju hajdeni dhe na tërhiqni zvarrë. Unë nuk kam konflikte me asnjë, nuk i dua, ne duam të zbatohet Kushtetuta. Mos sot nesër kjo do iu gjejë edhe ju.
Dëgjoni kauzën tonë. Ministrja Balluku të dëgjojë kauzën tonë. Nëse humbet logjika mund të kalojmë në gjerë të tjera. Ne kemi 5 muaj që po protestojmë. Por një ditë do të plasë, por atëherë do të jetë shumë vonë për ju” tha njëri prej tyre.
Nënë Liza, një grua e moshuar e kthyer në simbol të “5 Majit” në javën e fundit pas shembjes së shtëpive tha se natën e ka kaluar jashtë dhe debatoi me policët që i kërkuan të largohet nga hyrja e parlamentit.
Debati
E moshuara: Jam pa shtëpi.
Polici: Të lutëm kalo, a merr vesh?
E moshuara: Nuk e kemi bllokuar hyrjen. Nuk kam s’i marr vesh, jam jashtë. Kam fjetur jashtë.
Polici: Dil, ec…
E moshuara: Jo, nuk dua, toka është e shqiptarëve
Protestës iu bashkuan edhe një grup banorësh të zonës së Laprakës që iu shembën shtëpitë pasi preken nga Unaza.
Dy grupet e banorëve kërkojnë rivlerësim të shtëpive të shembura sipas vlerës së tregut.
/5pyetjet.al