Nga Arbër Zaimi
Disa po thonë: nuk është problemi te vulgariteti i gjuhës së kryetarit të Tiranës, por te uzurpimi dhe shfytyrimi i qytetit.
Megjithatë, problemi fillestar e ai kryesor është te vulgariteti. Nga një njeri që ka atë fjalor brutal, nuk duhet pritur më shumë.
Së pari, fjalët, konceptet që njerëzit përdorin, jo vetëm na shpalosin se cilët janë ata, por na tregojnë edhe limitet e tyre. Ai që nuk zotëron thellësi konceptuale, aq di aq bën. Çudi (aspak çudi në fakt) që ky kuadër i arsimuar në Amerikë, ky “brein i gejnur”, i paska aftësitë konceptuale e fjalorin më të pagdhendura se ndonjë kandidat për akademinë e barinjve shqiptarë… Që ka si ai plot ekzemplarë në politikë e biznes, thjesht e shton medetin, nuk e lehtëson atë.
Së dyti, një njeri që turpërohet, një njeri që skuqet, vetëm ai do të mund t’i rezistonte joshjes dhe lakmisë së miliardave që ofrohen në Tiranë. Ai që flet si bandit, aktron si bandit, në fund edhe është bandit, pa dyshim.
Së treti, nuk është përdorimi i banaliteteve nga ai një “thyerje tabush”. Nuk është përdorim i shkujdesur apo intim i fjalëve. Është vektor bartës i kërcënimeve të vrazhda. Thotë kryebashkiaku: “të shkojmë në shtëpinë e tij e t’ia pshurrim shtëpinë”. Këto kanosje kafshërore, edhe nëse bëhen ndaj ndonjë krimineli, janë në vetvete krim. Sepse vijnë nga goja e një zyrtari, dhe zyrtari vepron me ligj e jo me kanun. Vetë perceptimi i SPAK-ut si një mjet që ta tregon vendin, apo perceptimi i ligjit si shkop në dorën e pushtetit, flet keq për një drejtësi e cila që të jetë vërtet kredibile dhe demokratike, duhet të mos jetë mjet i askujt dhe duhet të godasë vetvetiu ata që përpiqen ta instrumentalizojnë atë.