Nga Bedri Islami
Kryeministri Edi Rama ka pyetur qytetarët shqiptarë të japin mendimin e tyre në lidhje me nismën aq shumë të debatueshme, “Ballkani i Hapur”.
Kjo është pyetja e 12 dhe e fundit e këshillimit kryeministor me njerëzit për 12 çështje të rëndësishme.
Është gjëja më formale, më e kotë dhe më budallaqe që mund të bëjë shefi i një qeverie, i cili, edhe pse mund të mendojë të kundërtën, ka humbur çdo lidhje reale me njerëzit, për deri sa synon t’i vendosë ato online ose përmes shkresave pa përgjigje.
Kjo nuk është as ” gju më gju” me popullin”, e as ” ne qeverisim, bota na ndihmon”.
Thjeshtë është një paraqitje surrogato e së parës dhe një talle me të dytën.
“Ballkani i hapur” ose i njohur fillimisht si ” Minishengeni ballkanik”, një triumfirat pa pushtet dhe pa perandori, e lindur në zyra qeveritarësh dhe , në kaq vite pa asnjë sukses të ndjeshëm, nismë që ka për autor presidentin serb dhe, pas të cilit, budallshëm në këtë rast, kanë rendur edhe shefi ynë i qeverisë dhe ish shefi maqedonas , të cilët në takimet e tyre kanë folur, nuk kanë vepruar; janë përqafuar, duke krijuar ndasi; janë vetëpërgëzuar, e ndërkohë nuk ka pasur duartrokitje.
Tani, pas kaq shumë kohësh, kur janë bërë takime e mbi takime, biseda zyrash dhe online, shkëmbime mesazhesh dhe vetëkënaqësi sporadike, kur askush nuk e ka dhënë vizën e miratimit të saj, kur një pjesë e rëndësishme e kombit nuk është pjesë, dhe Kosova duhet të ishte fillesa e kësaj strukture, për vetë problemet e mëdha që ka; kur atje, në gjithë këto vite kanë qeverisur miqtë e edi ramës, kundërshtarët e tij, tani edhe më kundërshtarët e tij, pra PDK, LDK dhe VV , e askush nuk ka qenë i një mendje, sepse askush nuk ka mundur t’i bindë, edi Rama merr mundimin të pyesë shqiptarët, si të kërkojë një çadër për shiun e djeshëm.
Më parë se të shtrojë këtë pyetje, ai duhet të bënte tabllo sinoptike se çfarë është fituar gjithë këto vite nga kjo hapje ballkanike, çfarë përfitimesh kishte vendi ynë, pastaj kombi ynë,, pastaj bashkëqytetarët tanë kudo që janë; çfarë përfitimesh kishte lëvizja e lirë – që edhe para këtij balkkanizimi hapës ishte pa asnjë pengesë; cilat të drejta njerëzore u ndreqën përmes tij, si është bërë më europiane dhe më e pranueshme politika shoviniste serbe; përse kjo hapje ballkanike nuk ka ndkuar në serbët e Bosnjës, për t’i bërë ata më të qytetëruar, më bashkëpunues, por kërkojnë shkëputjen dhe bashkimin me shtetin serb; përse në Serbi nuk ndodhi detanta, por fuqizimi i saj ushtarak, dhe përse duhet ky fuqizim në një Ballkan të Hapur, ku njerëzit, mallrat, idetë lëvizin lirisht; duhet të sqaronte se çfarë ndryshoi në mendësinë serbe në marëdhëniet me Kosovën, u zbutën ata, por u bënë edhe më radikalë; çfarë përmbysje erdhi në bashkëpunimin mes tre shteteve – dhe në fund çfarë fitoi njeriu i thjeshtë.
Qytetari, para se të marr pjesë në ” këshillimin kryeministror” për Ballkanin e Hapur duhet të dijë përse mielli serb, shpesh herë i skaduar futet lirisht në tregun shqiptar; përse jo rrallë herë firmat përmes të cilave Shqipëria blen energjinë elektrike janë po ata që na shisnin në kohën e Berishës; duan të dijnë se çfarë përparësie kanë mallrat shqiptare në këtë lëvizje të lirë të mallrave dhe ideve.
Shumë pyete janë shtruar, por , mjerisht, njerëzve u shtrohet para një fjalë kryq, ku duhet të kryqëzojnë njërin boshllëk, për të dëshmuar se u bënë pjesë e qeverisë.
Edi Rama , në 12 pyetjet e tij nuk kishte asnjë fjalë për PPP-të mafioze dhe asfiksuese për ekonominë, sot e në të ardhmen, për PPP e njohura dhe të panjohura, jo vetëm në shendtesi, por kudo; nuk kërkon këshillim për staturat politike që i bëri ministra, të cilët një ditë mund t’i shlarkojë duke shkuar në zyrë, sepse ashtu ia thotë mendje; ai nuk kërkon këshillim, qoftë edhe formal për korrupsionin – gangrenën e shtetit, të cilën pat premtuar se do e eleminojë, por e rriti si kurrë më parë; nuk trajton asnjë nga problemetthemelore të kombit, si largimi i të rinjve – të cilët kërkon t’i zevendësojë me bangladesash – ide e Samir Manes ; për mungesat e mëdha që kanë pdo sektor, eleminimin e mashtrimeve financiare – por kërkon, pas kaq viteve, kur e keqja çdo gjë ka lëvizur pa marrë mendimin e askujt, se si na duket “Ballkani i hapur”.
Nuk keni rregulluar asgjë në shtëpitë tuaja dhe kërkoni të rregulloni gjithë Ballkanin! Edhe të Hapur, bile!