Pesë vite pas ndërtimit të “Shtëpisë së Futbollit” Erion Veliaj i dërgoi Armand Dukës IMT-në dhe policinë bashkiake për kontroll për lejen. Hapur, një lëvizje e tillë në këto momente është një presion i pastër.
Administratori i FSHF-së, Hasan Gurabardhi u shpreh përpara mediave se ishin dy inspektorë nga IMT-ja e Tiranës për të kontrolluar dokumentacionin e lejes së ndërtimit të shtëpisë së futbollit ku hyjnë zyrat e Federatës, dy ministadiumet, fizioterapia dhe fusha që janë duke përfunduar. Ai shprehu habinë që një gjë e tillë ndodhi pas 5 vitesh.
“Duket i çuditshëm pse vijnë sot kur ndërtimi dhe leja e ndërtimit është dhënë në 2017 dhe erdhën çuditërisht sot. I vumë në dispozicion lejen e ndërtimit. Ndërtesa ka nisur 5 vite më parë dhe u habitëm pse erdhën sot” tha Hasan Gurabardhi. Administratori tha se të gjitha dokumentet i ka në dispozicion bashkia megjithatë disa dokumente u la të paraqiten të hënën.
Gara për presidentin e ri të FSHF-së ka përplasur Erion Veliajn që mbështet Dritan Shakohoxhën dhe Armand Dukën që kandion për një mandat të gjashtë në krye të këtij institucioni.
Akuzat dhe përplasjet mes palëve kanë bërë që në Shqipëri brenda pak ditësh të zbarkojë një delegacion i UEFA-s për të ndjekur nga afër situatën, teksa në datë 2 mars do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së.
/5pyetjet.al









