Opozita në Serbi po përgatitet për zgjedhjet presidenciale, por ajo ka probleme të mëdha të brendshme. Deri tani nuk ka ndonjë kandidat të përbashkët.
Kërkimi për kandidatin e opozitës për zgjedhjet presidenciale në Serbi po vazhdon, por tashmë është e qartë se nuk do të ketë ndonjë kandidat të përbashkët të opozitës. Në këtë moment mund të flitet për kandidatin e bllokut më të fortë opozitar. Por përçarja e opozitës por reflektohet edhe në përgatitjet për zgjedhjet presidenciale. Ndaj pritet të ketë disa kandidatë të opozitës për president.
Sinjali i keq për zgjedhësit
Spekulimet për kandidatin e opozitës për zgjedhjet presidenciale po vazhdojnë prej muajsh. Për habinë e madhe të partnerëve të tjerë të koalicionit, nga Partia për Liri dhe Drejtësi (SAA) e Dragan Gjilasit, u njoftua se kjo parti mbështet kandidatin Zdravko Ponosh në këtë garë. Gjenerali në pension i Ushtrisë serbe zyrtarisht është ende anëtar i Partisë Popullore (NS), por kreu i kësaj partie Vuk Jeremiq, thotë se me këtë lajm është njoftuar nga mediat. Kjo ishte një shenjë e mosbesimit të madh që ekziston brenda bllokut më të fortë opozitar në Serbi dhe një shenjë e problemeve të mëdha në komunikimin mes tyre.
“Unë e shoh atë si një sinjal të keq për votuesit dhe mungesë të mesazheve të mira që duhet të dërgohen,” tha për DW Dejan Bursaq, nga Instituti për Studime Politike. Partitë opozitare po dëshmojnë se nuk janë të gatshme për marrëveshje dhe pajtim për kandidatët, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Gazetari Gjorgje Vlajiq beson se “e gjithë kjo duket mjaft e pa sinkronizuar dhe si konfirmim se nuk ka atmosferë besimi dhe bashkëpunimi brenda grupeve kryesore opozitare”. Vlajiq tha për DW se kjo “sigurisht nuk është inkurajuese për zgjedhësit” dhe tregon se “brenda opozitës nuk ka një marrëveshje të qartë se si do të shkojnë në zgjedhje, çfarë synimesh politike kanë vendosur dhe se si t’i arrijnë ato”.
Shija e hidhurVuk Jeremiq
Ky zhvillim i ngjarjeve është komentuar si një dështim i opozitës për të krijuar koalicion para zgjedhjeve. Dejan Bursaq thotë se “kjo me siguri do të lërë një shije të hidhur”. Është paradoksale që të dy kandidatët kryesor – Zdravko Ponosh dhe Miroslav Aleksiq – janë anëtarë të Partisë Popullore. Nëse Ponosh mbetet kandidat, kjo mund të shihet si një konflikt serioz i brendshëm.
Ndërsa lideri i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, pohon se ata janë të bashkuar dhe se kandidati i tyre ështëMiroslav Aleksiq, por ai nuk përjashton as mundësinë e mbështetjes së kandidaturës së Zdravko Ponoss. Në këtë mënyrë ai po përpiqet të zbusë përçarjet brenda partisë së tij. Por Bursaq mendon se opozita do ta ketë shumë vështirë të bashkohen pas një kandidati.
Ndërsa Gjorgje Vjajiq beson se opozita do të ketë edhe disa kandidatë të tjerë për zgjedhjet presidenciale, pasi që për momentin përmenden edhe të paktën pesë ose gjashtë kandidatë të tjerë.
Orvatjet e kota të opozitës
Pas publikimit të kandidaturës së Ponosh, Vuk Jeremiq deklaroi se koalicioni ka bërë disa sondazhe për kandidatët më të përshtatshëm të opozitës. Rezultatet janë gati por ato janë vetëm për përdorim të brendshëm partiak. Zyrtarisht thuhet se Ponosh doli në plan të parë, por në hulumtime u jepen shanse të mira edhe kandidatëve të tjerë: Marinika Tepiq, Bozho Preleviq dhe Miroslav Aleksiq. Megjithatë dy kandidatët më serioz janë Aleksiqi dhe Ponosh. Por Dragan Djilas mendon se Miroslav Aleksiqin ai dhe partia e tij nuk e shohin si kandidat presidencial por më shumë si deputet apo ministër.
Analistët mendojnë se këto lloj hulumtimesh nuk kanë shumë kuptim, kur shihet se opozita është shumë e përçarë rreth kandidaturës dhe se do ta ketë shumë vështirë të gjejë një kandidat të përbashkët.
Sa më shumë kandidatë, aq më mirë?Aleksandar Vuçiqi
Pas publikimit të shumë emrave për kandidat u tha se një numër i madh i kandidatëve është një lajm i keq për opozitën. Por po shtohen zërat që thonë se kjo është mirë, për shkak të mobilizimit të votuesve për dalje në zgjedhje, që ndoshta do të rezultonte me faktin që asnjë kandidat të mos fitojë në raundin e parë më shumë se 50% të votave, sa është e domosdoshme për fitore. Ndërsa në raundin e dytë mund të ketë bashkëpunim të opozitës rreth nje kandidati, mendojnë disa analistë.
Mediat serbe shkruajnë se kandidatura e Ponoshit ka zgjuar vëmendjen edhe tek qarqet diplomatike. Në ditët në vijim mund të priten edhe takime të diplomatëve me Ponoshin. E kjo me siguri që do të nxisë mediat proqeveritare që ate ta quajnë “kandidat të NATO-s dhe ambasadave perëndimore”. Në këtë mënyrë mediat e afërta me Aleksandar Vuçiqin do të kërkojnë që të mos votohet kandidati i opozitës./DW