-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Përse xhaxhi Arditi na uroi në emër të “familjes së madhe Zico company”

Kryesoret

Nga Ilir Babaramo

Ardit Gjebrea është pa dyshim kantautori më I mirë shqiptar. Madje sa më shumë kalojnë vitet, duke na u vrarë veshi me zhurrmën dhe stresin e tallavasë që po bëhet dominuese, aq më tepër shtohet nostalgjia për hitet e tij.  Pikërisht për këtë arsye, Gjebrea është ikona që çdo brand shqiptar do të donte ta kishte imazh. Prej shumë muajsh , në të gjitha televizionet, përmes spotesh publicitare,  shikojmë artistin e madh që rreket me këmbë e me duar të na ndjellë për të blerë bananet “mbretërore”, frutin ekzotik që më shumë se çdo gjë tjetër në Shqipëri krijon asosacion me maune që transportojnë kokainë.

Ishte vërtet një trishtim i madh kur artisti i madh u shfaq i shoqëruar me një kor fëmijësh për ta na “uruar Vitin e Ri në emër të familjes së madhe Zico company”. Trishtimi kthehej në fatalitet kur në të njëjtën kohë me urimin morëm dhe lajmin se një maune e kësaj “familjeje të madhe” u kap me disa qindra kg kokainë të fshehur mes bananeve.  U krijua vërtet një gjendje skizofrenike. Mediat për orë e orë me rradhë fshehën lajmin e kokainës dhe për asnjë çast nuk ndërprenë    transmetimin e bananes. Ishte rasti i katërt kur kësaj “kompanie” i kapej aksidentalisht ngarkesë enorme me kokainë. Eshtë bërë kaq e rëndomtë sa ndërrimi I stinëve dhe shtegëtimi i lejlekëve çdo tetor. Eshtë shkruar mjaft për këtë lloj “importi”. Të gjithë janë të qartë se si funksionon. Madje shumë vetë dinë dhe zyrtarët e lidhur. Janë të qartë dhe për shkaqet e  pandëshkueshmërinë.

Mos o zot, Ardit Gjebrea nuk është trafikant. Ardit Gjebrea është një artist I madh dhe një njeri me shqisa të mprehta biznesi. Nuk është faji i tij nëse një subjekt i regjistruar ligjshëm në të gjitha qitapet e shtetit shqiptar fsheh dhe aktivitet të paligjshëm. Tjetërkush duhet të ndajë shapin nga sheqeri ose thënë më saktë kokainën nga banania.

Arti si gjithçka është produkt I tregut. Kur ka kërkesë ka dhe ofertë. Drama e madhe është se kush janë mecenët e artit shqiptar, pra kush e financon. Arditi nuk është përjashtimi. Përmasat e artit të Gjebresë pohojnë rregullin që funksionon prej 30 vjetësh. Ju kujtohet besoj një spektakël i konceptuar si konkurs vallëzimi 30 vjet më parë. Ishte një shoë që bëri revolucion në televizionin shqiptar. E pra, pikërisht ky spektakël kishte si mecenë dy personazhë që kishin hyrë në trafikun e kokainës, madje parashikonin ta transportonin atë me nëndetëse. Më pas, sponsor gjeneralë të artit dhe botës së spektaklit u bënë bosët e piramidave, të cilët ua lanë stafetën turli lloj evazorëve derisa kemi arritur në këtë pikë kur peizazhi ngjan mbuluar krejt në të bardhë si në një muzg dëbore i Mios.  

Arti është krijesë e një shoqërie të caktuar, mbi të gjitha produkt i një lloj ekonomie. Shikoni historinë e kulturës botërore, dy majat më të larta të saj, Antikitetin grek dhe Rilindjen italiane. Emrat e Eskilit, Aristofanit, Fidias, Praksitelit dolën në kohën e qeverisjes gjysmëshekullore të Perikliut kur gati gjithë ekonomia e Mesdheut e kishte qendrën në Athinë. Pa Lorenco de Medici, pa Papën e Romës, pa dozhët e Venedikut nuk do të kishim Leoanardo, Rafaelo e dhjetëra gjeni të tjerë. Arti i  tyre lulëzoi në Firence, Vatikan e Venecia  kur këto qytete kontrollonin financat e gjithë Evropës. Por të mos fluturojmë me presh. Le të zbresim me këmbë në tokë. Në Shqipëri.

Arditi nuk është shkaku. Gjebrea është pasoja. Arti I një vendi është produkt i ekonomisë së tij. Pyetja ulëritëse është : çfarë lloj ekonomie kemi prodhuar këto 30 vjet ? Çfarë modeli kemi ndërtuar në këtë tranzicion? Ishte një kalim që nisi me ura zjarri që dogjën gjithçka kur dhe ata të dy që i prinin pishtarëve patën një fat shumë tragjik personal.

Në të gjithë botën aktualisht shoqëritë janë të përfshira në debat, polemika që shpesh provokohen nga qeveritë : Kush janë  sektorët e ekonomisë që duhen stimuluar dhe cili është roli që duhet të luajë arsimi në këtë sfidë. Kryeministri shqiptar duket se po bën të njëjtën gjë. Me pyetësorin që u ka shpërndarë shqiptarëve Rama rreket që të imponojë një zgjidhje për ekonominë shqiptare. Në fakt nuk është zgjidhje, Eshtë thjesht legalizimi i një ngrehine pa leje. I vetmi bum ekonomik është ai i ndërtimit të kullave në Tiranë, Gjithcka tjetër është atrofizuar. Punëtorë nga Lindja e Largët rropaten pa rreshtur,( ndërkohë që shqiptarët prej vitesh po ia mbathin nga sytë këmbët kryesisht drejt Gjermanisë), punojnë ditë natë me turne duke e shtuar sipërfaqen në përmasa të tilla sa tek ne mund të strehohet gjithë Ballkani. Në Tiranë është një ofertë me permasa të frikshme. Logjika ekonomike thotë se kërkesa duhet të binte. Por nuk po ndodh kështu. Kërkesa është akoma dhe më agresive . Çmimet e real state po kapin shifra të frikshme dhe aty ku dikur ishin magazet e miellit të Rezervave të Shtetit, pra në Lundër, çmimi i metrit metrit katror po I afrohet me shpejtësi çmimit të lagjes VI në Paris.

 Dhjetëra e dhjetëra mijëra metra katrorë po ndërtohen si kulla në qendër të Tiranës ku do arrijnë e teprojnë të akomodohen brokerat e Njujorkut, Londrës, Frankfurtit e Tokios bashkë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se si kërkesën dhe ofertën e këtij tregu e diktojnë “bananet”. Eshtë mundësia kryesore e lavatriçes. Ky është i vetmi model i suksesshëm në ekonominë tonë. Në kontekst vjen dhe pyetja e e kryeministrit : a duhet legalizuar hashashi në Shqipëri? Në fakt pyetja e pyetjeveve që duhet shtruar është çfarë duhet bërë kur të plasë flluska e ndërtimit të kullave?

 Ja pra përse nuk duhet sulmuar Arditi por duhet parë vetëm me trishtim  kur na ofron tortën me banane.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit