Kryeministri Edi Rama e ka nisur fundjavën me një mesazh sensibiluzues përmes artistëve, ambientalistëve dhe të rinjve për të mbajtur pastër ambientin në Durrës.
“A mundet për çdo qese mbeturinash që ti hedh nga ballkoni dhe mbesin në pemë të ketë një supermen që t’i kapi në ajër? Hë a mundet?” pyet aktori Muharrem Hoxha duke kërkuar ndërgjegjësim.
“Të gjithë ne vijmë në Durrës për të shijuar një pjatë peshk të freskët, por nëse vijojmë të hedhim mbetjet plastike në këtë formë, që kthehen në ushqim për peshqit, sigurisht që kthehen në ushqim për peshqit, ne çfarë po bëjmë? Po konsumojmë ushqim plastikë të përpunuar nga peshku?” vijon më tej kolegu i tij Gentian Zenelaj.
Në video mesazh shfaqet edhe kandidatja për kryetare bashkie, Emirjana Sako, që kërkon vëmendje dhe kujdes nga qytetarët. “Bashkohu dhe ti me ne në nismën për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e mjedisit për një Durrës më të pastër, për një Durrës ku rriten fëmijët tanë”.
Mesazhi duket si një nisje fushate nga Edi Rama për bashkinë e Durrësit që në 6 mars do u drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur të parin e qytetit, që do të drejtojë deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
/5pyetjet.al