Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sonte Lulzim Bashën se ka “futur duart” duke kapur portin e Durrësit. Nga Vau i Dejës, ai sulmoi Mohamed Alabbar, miliarderi i Emirateve Arabe, pronari i grupit të mirënjohur ”Emaar” duke e cilësuar mashtrues dhe u shpreh se pas projektit të transformimit të portit të Durrësit qëndron Lulzim Basha dhe Edi Rama duke zbuluar edhe skemën.
“800 mijë metra katror në portin e Durrësit që është afera e shekullit, i janë dhënë gjoja një arabi, i cili në një aspekt është një biznesmen i madh shumë, por edhe po kaq i madh si mashtrues.
Ai ka marrë në Beograd për të investuar 4 mld euro, por pas 10 vitesh ka investuar 24 mln euro. Portin e Durrësit në të vërtetë e ka marrë Rama dhe Basha, dhe përfaqësuesi i kompanisë ”Emaar” është menaxheri i kompanisë së Lulzim Bravës.
Ju e patë se cfarë bëri me selinë. E gjitha kjo sepse selia është parashikuar të shndërrohet në kullat e parkut të 4 hajdutëve, gjejeni ju tani sesa ka marrë për vete Basha” tha ai.
Sali Berisha komentoi protestën e banorëve të “5 Majit” dhe simbolin e kësaj qëndrese, nënë Lizën, që IMT-ja i shembi banesën dhe nxori në rrugë. Për Berishën kjo është barbari, që duhet të ndëshkohet.
“8 vite në qeverisjen e Ramës Shqipëria u shndërrua në diktaturë droge dhe korrupsioni në një shtet që shtyp egërsisht qytetarët e saj.
Le të shkojmë pak nga kjo sallë në mendjen tonë te nënë Liza, tek nëna heroike, që donte të flijohej për të mbrojtur votën e saj familjare, sepse një shtet barbar, horrash që nuk kanë moral dhe ligj e njofton sot për nesër se do të prishë shtëpinë.
Në cdo vend shtetet bëjnë plane, prishin banesa, hapin rrugë, ndërtojnë blloqe të reja, por të gjitha bëhen duke respektuar ligjet dhe të drejtat.
Nuk mund ti shkosh si pushtues i egër tjetrit për t’i prishur shtëpinë kur je i detyruar, ti garantosh strehimin, të biesh dakord me të, aty ku po prishen ato shtëpi, po ndërtohen kulla 30 kate.
Shikoni se cfarë bën babëzia e njerëzve të pashpirt, ndërtojnë kullë dhe nuk i ofrojnë sipërfaqen e banimit, atij që ka jetuar aty për 30 vite.
Ai që e ka shtëpinë aty prej 20 vitesh i kanë lindur disa të drejta, shteti është i detyruar ta strehojë dhe të bjerë në marrëveshje, por këta nuk kanë moral dhe shpirt. Këta janë njerëz që mendojnë vetëm për pasurimin e tyre” tha ai.
Ai sulmoi edhe reformën në drejtësi. “Nuk ka njeri që mund të ndjekë dosjet dhe kalon procedura, cdo javë po dalin nga burgu vrasës dhe trafikantë, pasi nuk ka prokurorë për të shqyrtuar dosjet” deklaroi Berisha.
/5pyetjet.al