Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për operacionin e koduar ‘Xhamat e errësuar’. Pas finalizimit të operacionit janë vënë në pranga 7 persona ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Në pranga është vënë dhe një mjek, 40-vjeç, banues në Tiranë. Ai bashkëpunonte me zyrtarët e Drejtorisë së Transportit, duke falsifikuar dokumentat shëndetësore nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre. Të shtatë personat, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme, u premtonin dhe u siguronin disa shtetasve nga Tirana dhe Durrësi, certifikata përshtatshmërie për xhamat e errësuar të automjeteve, kalimin e kontrollit teknik të mjeteve dhe pajisjen me dokumente mjekësore për mospërdorimin e rripit të sigurimit, kundrejt shpërblimit monetar nga 10.000 – 30.000 lekë të rinj.
Sipas burimeve të policisë të arrestuarit janë: – Q. D., 31 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
– E. R., 34 vjeç, banues në Sallmone, Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim, me detyrë administrator në një servis për veshje xhamash të errësuar;
– E. Z., 26 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim”, punonjës në servisin për veshjen e xhamave të errësuar;
– Y. G., 61 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë punonjëse në një agjenci sigurimesh;
– A. F., 38 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë administrator në agjencinë e targimit të automjeteve në Xhafzotaj;
– A. M., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave shëndetësore nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”, me detyrë mjek pranë Qendrës Shëndetësore Kamzë;
– Z. N., 27 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, me detyrë specialist në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Durrës.
Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit R. A., 22 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.