Skandali i pagave që u zbulua në fund të vitit të kaluar shërbeu për të zbuluar disa të vërteta të hidhura se çfarë bëhet me pagat në Shqipëri dhe se si një grusht njerëzish marrin gjithçka dhe pjesa tjetër rropaten për bukën e gojës duke pritur fundin e muajit.
Por cilët janë njerëz që janë bërë të pasur “rastësisht”?
Deri në momentin që të dilte skandali i pagave në media njeriu i fundit që lakohej se merrte miliona me “djersën e ballit” ishte babai i deputetit socialist Alqi Bllako. PD dhe LSI, edhe pse të ndarë pas zgjedhjeve, inceneratorët i kishin të dy në shënjestër.
Dy palët kanë denoncuar shpeshherë se babai i Alqi Bllakos paguhet nga inceneratorët 10 mln lekë/muaj për meritë të djalit, i cili në momentin që u firmosën kontratat ishte sekretar i përgjithshëm i ish-ministrit Lefter Koka, që sot gjendet pas hekurave te “313”-ta, ndërsa vartësi i tij, i “qetë” në Kuvend.
Por, pasi doli skandali i pagave, rezultoi se babai i deputetit nuk ishte i vetëm, kishte edhe të tjerë me rroga akoma më shumë stratosferike. Njëra prej tyre gjendet mes koncesioneve të shëndetësisë. Ajo është Nazife Bello, që paguhet jo pak nga kompania “Pegasus”, por gati 30 milionë lekë në muaj rrogë si analiste menaxhimi.
Një pagë marramendëse, shumëfish më e lartë se e Presidentit, kryeministrit dhe shumë CEO-ve, të kompanive të mëdha që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Por cila është merita e Bellos për këtë super pagë, pa llogaritur bonueset?
Nazife Bello është e ëma e Shpresa Bellos, farmacistes me diplomë Kristali e që mbeti në provim, kushte këto që plotësonin standardet e Ilir Beqajt për ta punësuar si Drejtoreshë të Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë.
Por cila është lidhja mes kompanisë “Pegasus” që paguan Nazife Bellon?
Shpresa Bello, që është vajza e Pajtim Bellos, ish-zv-ministër i Energjisë disa vite më parë pasi mori postin e drejtoreshës së Farmaceutikës u kthye në një lojtare kryesore, pasi bënte pjesë te rrethi i ngushtë i njerëzve që vendosin për koncesionet e shëndetësisë në vend. Koncesioni që i hapi portën e artë ishte ai i laboratorëve.
Fitues i konçesionit ishte një konsorcium që përbëhej nga kompanitë “Exalab”, “Labopharma” dhe “AB Laboratory Solutions B.V.”. Dy kompanitë e fundit “Labopharma” dhe “AB Laboratory Solutions B.V.” janë në pronësi të biznesmenit Janis Karathanos i cili zotëron 75 % të konçesionit të laboratorëve dhe që kontrollohen nga kompania tjetër e tij “Pegasus”.
A e shpjegon kjo faktin se përse Nazife Bello “shpërblehet” me rrogën stratosferike 29 milionë lekë në muaj nga kompania “Pegasues”? Kontratat koncesionare në shëndetësi javën e fundit janë vendosur në “syrin” e KLSH-së, që i ka referuar të dhënat me shkeljet e gjetura nga auditimi. Rasti i koncesionit të laboratorit ishte skandal i hapur.
Koncesionari jo vetëm kryen shumë më pak analiza se kryheshin më parë në shtet (37 lloje analizash për laboratorët e Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë, ndërkohë që vetëm shërbimi laboratorik i Imunologjisë nën administrim publik mund të kryente deri në 74), por në kohë Covidi, nuk kryente as analizën kaq të nevojshme të Dimerit për të sëmurët me Covid.
Në kulmin e krizës nga covid, ministrja Manastirliu trumbetoi që edhe Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT, do të mund të kryejë testin Real Time PCR për të sëmurët me Covid, por pas pak ditësh tërhiqet dhe personeli u pushua nga puna.
/5pyetjet.al