Profesori amerikan Edward Joseph komentoi vizitën e emisarëve Lajcak e Escobar në Kosovë e Serbi duke thënë se ajo ishte mesazh se Uashingtoni dhe Brukseli punojnë në partneritet të ngushtë.
Joseph në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaroi se vizita e përbashkët e emisarëve të ShBA-së dhe BE-së është një synim i qartë për të rifilluar dialogun i cili ka ngecur pas një pushimi të gjatë dhe ngjarjeve kontraverse që pasuan gjatë vjeshtës.
“Çfarë ShBA-ja dhe BE-ja s’mund të arrijnë në dialog brenda kornizës që tani është konceptuar, është se Serbia dhe Kosova si dhe rajoni kanë nevojë – një zgjidhje për mosmarrëveshjen”, tha ai.
Escobar dhe Lajcak u takuan gjatë javës me zyrtarët më të lartë të të dyja vendve. Mesazhi kryesor ishte përkrahja dhe nxitja për Prishtinën e Beogradin për gatishmërinë e tyre në dialog dhe ftesën për tu rikthyer në tavolinën e bisedimeve. Data e takimit tjetër në Bruksel ende nuk dihet.