Kalvari i vuajtjeve duket se po merr fund. Thjeshtësimi i procedurave doganore midis Kosovës dhe Shqipërisë, zvogëlimi i pritjes në pikat kufitare dhe vendosja e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit janë disa lehtësira tregtare midis këtyre dy vendeve, që shpejt pritet të marrin karakter ligjor.
Qeveria e Kosovës ka miratuar më 26 janar Projektligjin për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollin e hyrjes dhe daljes së mallrave.
E njëjta masë është miratuar edhe nga Qeveria e Shqipërisë.
Ajo rrjedh nga marrëveshjet që dy vendet kanë nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive të tyre, të mbajtur më 26 nëntor të vitit të kaluar në Elbasan.
Brenda ditësh, projektligji pritet të dalë për miratim edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Më 27 janar, ky projektligj është proceduar në Kuvend, më 28 [janar] e kemi shpërndarë te deputetët. I ka dy javë që të shkojë në seancë”, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës.
Ankesat e bizneseve për barriera
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, për vite me radhë, janë ankuar se Shqipëria u vendos barriera tregtare kur produktet e tyre i eksportojnë në këtë vend, ose kur Shqipërinë e përdorin si kalim transiti, për të eksportuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Për një kalim transit në territorin e Shqipërisë, fabrika e këpucëve “Solid” nga Kosova paguan afër 80 euro, thotë Shpejtim Kuqi, drejtor i kompanisë.
“Shqipëria nuk e njeh transitin që bëhet në Kosovë, kërkon të bëhet edhe një transit në Kukës dhe një skanim i mallrave në Durrës. Kjo merr kohë dhe është e kushtueshme”, thotë ai.
Përshpejtimi i procedurave të transitit, po ashtu, është një nga pikat e marrëveshjeve për lehtësira tregtare, të arritura midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Në ueb-faqen e Doganave të Shqipërisë thuhet se tashmë ka një sistem të përbashkët të transitit.
Ky sistem thuhet se “u mundëson bizneseve nisjen e një procedure transiti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës” dhe “mbylljen e transitit në vendin tjetër (Kosovë apo Shqipëri), duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare”.
Sipas Kuqit, ky sistem nuk zbatohet në praktikë.
Bizneset në Kosovë janë ankuar edhe për dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare në Shqipëri, për mosnjohje të certifikatës së origjinës së produkteve të prodhuara në Kosovë, për tarifa të larta rrugore, e të tjera.
Por, probleme të ngjashme kanë raportuar edhe bizneset nga Shqipëria që eksportojnë në Kosovë.
Për eliminimin e barrierave të tilla tregtare, Kosova dhe Shqipëria, ndër vite, kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje.
Mbi 90 të tilla që kanë në fokus përmirësimin e shkëmbimeve tregtare, janë nënshkruar në tetë vjetët e kaluar. Por, shumë herë nuk kanë gjetur zbatim.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se me miratimin e projektligjeve për lehtësira tregtare, është afër mundësia që barrierave midis dy shteteve t’iu vijë fundi.
“Aprovimi i këtyre projektligjeve mundëson ratifikimin e marrëveshjeve dhe këto barriera tregtare mes dy shteteve nuk do të kenë më bazë ligjore për të ekzistuar”, thotë Zeka.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e fundit të qeverive të tyre, kanë premtuar se do t’i eliminojnë të gjitha barrierat tregtare që kanë bizneset e dy shteteve.
Ndër vite, Kosova dhe Shqipëria kanë investuar miliarda euro në infrastrukturën rrugore që i lidh ato.
Vlera e produkteve të shkëmbyera midis dy vendeve dallon. Në vitin 2020, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej afro 200 milionë eurosh, ndërsa Kosova në Shqipëri mallra në vlerë prej mbi 110 milionë eurosh.
Të dhënat për vitin 2021 nuk janë publikuar ende./ REL