Nga Kseniya Kirillova “Center for European Policy Analysis”
Presidenti kroat Zoran Milanoviç, kryetari i shtetit anëtar të NATO-s, deklaroi javën e kaluar se Ukraina nuk duhet të lejohet që t’i bashkohet aleancës. Sipas tij, Ukraina është një nga vendet më të korruptuara në Evropë dhe Revolucioni i Dinjitetit i vitit 2014 ishte “një grusht shteti, dhe gjithçka tjetër veçse jo një lëvizje demokratike”.
Më pas Milanoviç premtoi se në rastin e përshkallëzimit të konfliktit të armatosur, ai do të tërhiqte “çdo ushtar kroat” (në fakt Kroacia nuk ka trupa në Ukrainë, dhe presidenti nuk ka gjithsesi kompetenca për të urdhëruar lëvizjen e tyre).
Këto deklarata shkaktuar reagime diplomatike të parashikueshme. Ministria e Jashtme e Ukrainës, deklaroi se fjalët e presidentit kroat ishin të papranueshme, dhe se Milanoviç duhej të kërkonte ndjesë zyrtare. Më pas kryeministri kroat Andrej Plenkoviç (që nuk është mik i presidentit) i kërkoi falje Ukrainës.
Ai tha se deklarata e Milanoviç ishte “jorealiste dhe fyese”, dhe vetëm për konsum të brendshëm, ndërsa shtoi se u duk sikur ajo “ishte thënë nga një zyrtar rus”.Ndikimi i Rusisë në Evropën Juglindore ka qenë i qartë prej shumë vitesh, madje që në epokën osmane. Qeveria e Vladimir Putinit i ka ringjallur lidhjet historike me Serbinë, dhe diasporën e kësaj të fundit në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë. Por Moska është angazhuar edhe diku tjetër. Në vitin 2016, ajo u akuzua se u përpoq ta rrëzonte qeverinë e Malit të Zi nëpërmjet një grushti shteti.
Ndërkohë e ka përdorur makinerinë e saj të fortë të keq-informimit për të dëmtuar kundërshtarët e saj pro-perëndimorë, për të sulmuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian, për të përhapur mitet kundër vaksinave, si dhe për të nxitur tensionet etnike.
Prandaj, ka të ngjarë që Milanoviç, ish-udhëheqësi i socialdemokratëve në Kroaci, të jetë thjesht duke luajtur me kartën e nacionalizmit. Gjatë 2 viteve të fundit, ai ka flirtuar shumë me populistët nacionalistë kroatë, aq sa edhe politikanët me prirje të djathta po distancohen prej tij, dhe sidomos kryeministri Plenkoviç.
Më herët, Milanoviç kishte bërë shumë deklarata armiqësore ndaj Bosnjes dhe qeverisë në Sarajevë. Qëndrimi i tij ndaj Ukrainës është “vetëm qershia mbi tortë”, shpjegoi në një intervistë gazetari i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), Irvin Pekmez.
“Milanoviç mbështet zyrtarisht nacionalistët serbë nga Bosnje Hercegovina, dhe po lobon për bashkëpunim me presidentin nacionalist të Republikës Srpska Milorad Dodik, i cili është pro-rusi më i zëshëm në Ballkan”- thotë analisti politik malazez Ljubomir Filipoviç.
Dodik është i lidhur jo vetëm me politikanët rusë, por edhe me organizatat pranë shërbimeve sekrete ruse siç është Instituti Rus për Studime Strategjike (RISS), që raportohet se ka pasur një veprimtari intensive në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2015, Dodik i dha ish-drejtorit të RISS, gjeneralit Leonid Reshetnikov, Urdhrin Njegosh për “kontributin e rëndësishëm personal të gjeneralit në zhvillimin e bashkëpunimit shkencor dhe kulturor midis Rusisë dhe Republika Srpska, që ka një rëndësi të madhe për formimin e këtij entiteti”.
Deri tani nuk janë faktuar lidhje të ngjashme të presidentit të Kroacisë. Por ekzistojnë disa arsye pse një politikan kroat mund të marrë pozicione që i leverdisin Putinit dhe zyrtarëve të tij. Ish-ambasadori i Malit të Zi në NATO, profesori i Universitetit të Bostonit, Vesko Garçeviç, vë në dukje lidhjet financiare të Kroacisë me oligarkët rusë.
Për shembull, rusët që kanë lidhje me Putinin, si dhe manjati rus Viktor Bekselberg, investojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e turizmit në Kroaci. Ky vend- ashtu si shumë të tjerë në Evropë – ka ndërkohë një varësi të madhe energjetike nga Rusia, ndërsa bregdeti i tij plot diell tërheq ish-politikanët dhe oligarkët rusë drejt pasurive të paluajtshme luksoze, të blera përmes kompanive offshore.
Rusia ka lidhje të ngushta me Serbinë, por politikanët serbë i kanë shmangur në përgjithësi deklaratat e drejtpërdrejta në mbështetje të konfliktit me Ukrainën (tek e fundit ky vend po synon të anëtarësohet në BE). Megjithatë, sipas gazetës opozitare serbe “Danas”, inteligjenca serbe ka marrëdhënie të ngushta me Kremlinin.
Shërbimi sekret serb regjistroi bisedat mes pjesëmarrësve në një seminar të deputetëve opozitarë rusë në Beograd vitin e kaluar, dhe Ministri i Punëve të Brendshme Aleksandar Vulin shkoi vetë në Moskë për t`ia dorëzuar regjistrimet Sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev.
Dy javë më vonë, një nga pjesëmarrësit e seminarit, politikani opozitar Andrej Pivovarov, u arrestua nga FSB-ja ruse. “Danas” raportoi gjithashtu se Rusia dhe Serbia kanë krijuar një grup të përbashkët pune për të monitoruar opozitën, dhe për të shtypur çdo përpjekje për rebelim.
Sipas analistit Filipoviç, në Malin e Zi, politikanët po përpiqen që t’i shmangen çështjes mbi Rusinë dhe Ukrainën, ndërsa një narrativë pro-ruse po propagandohet kryesisht përmes rrjeteve të nacionalistëve serbë.
“Ata pretendojnë se janë nacionalistët ukrainas ata që po e provokojnë Rusinë, dhe njëkohësisht theksojnë se Ukraina, ashtu si Mali i Zi, është një shtet i krijuar artificialisht dhe se nuk ka një komb ukrainas apo malazez. Në këtë mënyrë propagandistët arrijnë dy qëllime në të njëjtën kohë”-thotë ai.
Pavarësisht përpjekjeve për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ky vend iu bashkua aleancës në vitin 2017. Megjithatë, një nga të akuzuarit e komplotit, Milan Knezheviç, është tani kreu i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Parlamentit, ndërsa qeveria përbëhet nga njerëz me lidhje të ngushta jo vetëm me Serbinë por edhe me Rusinë.
“Dejan Vukshiç, që ka lidhje të ngushta biznesi me Rusinë, po drejton tani Agjencinë malazeze të Sigurisë Kombëtare (ANB)”- shton Filipoviç. Agjencia e Vukshiç është vlerësuar nga mediat ruse. Për shembull, më 22 mars 2021, gazeta ekonomike pro-Kremlinit “Vzglyad”, botoi një artikull me titull “Forcat pro-ruse organizuan një spastrim të shërbimeve speciale malazeze”. Në të, autori shkruante se vetëm në 3 muaj të vitit 2021, Vukshiç kishte “arritur të shpërndante pjesërisht dhe plotësisht të gjithë shërbimet e inteligjencës dhe kundërzbulimit malazez, duke larguar përkrahësit e presidentit pro-perëndimor Milo Gjukanoviç”.
Qeveria aktuale pro-serbe në Malin e Zi, e ka shumë të vështirë qeverisjen dhe rrezikon të rrëzohet si pasojë e një mocioni mosbesimi parlamentar që do të mbahet më 4 shkurt. “Pakënaqësia popullore po rritet”- vëren Ljubomir Filipoviç.
Por qofshin në qeveri apo jashtë saj, miqtë e Rusisë janë të shumë në rajonin e Ballkanit. Ata do të formojnë një opozitë të vazhdueshme ndaj demokracisë liberale, dhe do të mbështesin përpjekjet e Kremlinit për të përhapur autoritarizmin/ CNA