Edi Rama nuk u dha zgjidhjen që kërkonin banorëve të lagjes “5 Maji” në Tiranë. I priti brenda parlamentit, i dëgjoi dhe në fund u tha të njëjtat fjalë që deri tani i ka shprehur përmes rrjeteve sociale.
Banorët që i kanë shtëpitë pa leje dhe që preken nga projekti do të trajtohen si personat e prekur nga tërmeti, pra do të marrin hyrje në pallatet e reja që do të ndërtohen. Por banorët i kërkuan që kontratë dhe jo fjalë.
“Kemi pasur një bisedë intensive dhe faktikisht unë kam sqaruar atë që ka qenë e vërteta që ditën e parë, por që sigurisht, e vërteta këtu i ka të vështira rrugët, pasi ka shumë pengesa të qëllimshme.
Për të gjithë banorët, qoftë të “5 Majit”, zonës së Unazës, që janë të ndarë në dy kategori, do të ketë një trajtim të dinjitetshëm njerëzor, solidar, njëlloj si me ata që humbën shtëpitë.
Për ata që kanë certifikata pronësie nuk kemi cfarë diskutojmë, për ta zgjidhja është; dëmshpërblim ose kompensim me shkëmbim. Për ata pa letra, si rasti i nonës këtu (Liza) nuk është nxjerrja në qiell të hapur.
Ia shpjegova procedurat, që do të thotë, shtëpia që është pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi, njëlloj si ata që mbetën pa shtëpi nga tërmeti dhe deri atë ditë paguhet nga shteti një bonues qiraje” tha ai.
Nënë Liza, simboli i rezistencës tha se me kreun e qeverisë nuk u mor vesh për asgjë.
“Asnjë garanci, fjalët i merr era. Nuk dua shtëpi me taksat e popullit. Ku me fol, ku merresh vesh. Nuk besoj. Fjalët i merr era. Nuk i kërkova vilë, por shtëpinë sikur e kisha” tha ajo.
/5pyetjet.al