Sali Berisha prezantoi pasditen e sotme në Shkodër kandidatin për kryetar bashkie, Bardh Spahinë. Më shumë se mesazhet, sot në Shkodër vëmendjen e tërhoqën njerëzit që ishin në krah të ish-kryeministrit.
Arben Imami, ish-ministër i Mbrojtjes, themelues i PD-së është rikthyer sërish në krah të liderit historik të demokratëve. Lulzim Basha e përjashtoi në 2017, por “xhaketa e vjetër” është rikthyer.
Ai është caktuar nga Berisha drejtues politik për fushatën në kryeqendrën e veriut, që do të jetë një nga betejat më të forta në zgjedhjet e 6 marsit.
Prezantimi ishte i mbushur me humor dhe batuta. Dhe për këtë një meritë të veçantë kishte aktori i mirënjohur i humorit shkodran Zef Deda, që ishte i pranishëm.
Protagonizmi i tij mori duartrokitjet e qytetarëve të Shkodrës në momentin kur Sali Berisha iu drejtua me ironi kandidatit të Sali Berishës me skeçin e aktorit të njohur shumë vite më parë, “Kunati i shokut Xhemal”.
“I nderuar zoti Xhemal, mos u bëj shoku Xhemal. Lerë këtë fushatë, bëj ca ditë pushim dhe hajde takohemi përsëri, se gabime bëjnë të gjithë” iu drejtua Berisha Xhemal Bushatit.
Ish-kryeministri vlerësoi rivalen socialiste, Majlinda Angoni, por edhe asaj i kërkoi që të mendohet dhe tërhiqet nga gara.
““Garon këtu dhe partia e Edi Ramës. Nuk kam ndonjë fjalë personale për shoqen Angoni por dua ti them se ke bërë gabimin më të madh të përfaqësosh Edi Ramën në këtë bashki të mrekullueshme.
Nuk të takonte as si Juban dhe as si Angon të përfaqësosh një njeri që nuk ka asnjë vlerë, një njeri që e urren Shkodrën, një njeri që e po e zbraz Shkodrën dhe Shqipërinë nga rinia, po e thellon varfërinë, një njeri që grabit me klikën e tij çdo ditë qytetarët shqiptarë.
Ke kohë të mendohesh” i tha Berisha.
/5pyetjet.al