Këtë muaj do të takohen për herë të pestë në Bruksel grupet e punës të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve. Rreth një muaj para përfundimit të afatit gjashtëmujor të marrëveshjes për “letrat e ngjitura” ka optimizëm për arritjen e një marrëveshje të re.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se presin një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane. Kurse nga Bashkimi Evropian deklarojnë se takimi i fundit i grupit ka krijuar më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, tha për KosovaPress se në katër takimet e kaluara janë diskutuar propozime dhe argumentime për modele të zgjidhjes se cila do të jetë e pranueshme për të dy palët.
Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se grupi takohet rregullisht për të paraqitur zgjidhje konkrete brenda afatit të paracaktuar e që është 6 muaj nga takimi i parë më 21 tetor 2021.
Nga ana tjetër, më skeptike për një marrëveshje finale për targat është Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Njohësja e procesit të dialogut thotë për KosovaPress se shpeshherë në dialogun me Serbinë nuk janë respektuar afatet e parapara.
Sipas saj, marrëveshjen për targat mund ta edhe zgjedhjet në Serbi në prill.
Kosova me 20 shtator të vitit 2021 filloi reciprocitetin e targave të automjeteve ndaj Serbisë. Për zbatimin e kësaj mase u mobilizua edhe Njësia Speciale e Kosovës. Kjo krijoi tensione në veri të vendit ku qytetarë serbë protestuan dhe bllokuan rrugët kufitare në atë pjesë.
Si pasojë e tensionimit, më 30 shtator Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit arritën marrëveshje për çtensionimin e situatës dhe largimin e specialëve nga veriu dhe lirimin e rrugëve. Ndërsa automjeteve të dy palëve do t’iu vendosej një letër ku mbulohen simbolet shtetërore.