Mediat spanjolle kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të shqiptarëve në Majorka, si pjesë e grupit prej 54 personash që u dërguan pas hekurave si të lidhur me trafikun e kokainës. 30 prej tyre, janë shqiptarë dhe pjesa kryesore u arrestua në Belgjikë.
Operacioni u zhvillua në orën 4 të mëngjesit duke i kapur në gjumë shqiptarët. 17 banesa u kontrolluan. Përpos të arrestuarve u sekuestruan edhe armë, kokainë, para, ora luksoze, diamante dhe automjete.Në të njëjtën kohë, aksione u zhvilluan edhe në disa vende të tjera evropiane. Dhjetra persona u arrestuan në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë që kanë lidhje me mafien shqiptare të kokainës.
“Ishte zbulimi i një bote të re kriminale në të gjithë territorin e Brukselit, e cila deri më tani ka arritur të mbetet kryesisht e padukshme”, tha Eric Jacobs, drejtor i Policisë Gjyqësore Federale të Brukselit.
Organizata transportonte kokainën që arrinte në kontejnerë në portet e Antwerpen dhe Roterdamit në vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë dhe Spanjën.
Për këtë përdornin mjete të ndryshme, si automjete me hapësira të fshehura, ashtu edhe kompani transporti, avionë mallrash apo privatë, por edhe transport me kontejnerë nëpërmjet porteve të Le Havre dhe Hamburg.
Një hetim për të njëjtën organizatë ishte duke u zhvilluar tashmë në Spanjë, kështu që u krijua një ekip i përbashkët hetimor, i cili u zgjerua në disa vende të tjera evropiane nën krahët e Eurojust dhe Europol duke goditur njëkohësisht.
Pak ditë më parë në Belgjikë u ekzekutua krahu i djathtë i fisit Çapja në Elbasan, Bledar Muça.
/5pyetjet.al