Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, vizitoi këtë të mërkurë Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, duke e konsideruar këtë një hallkë të rëndësishme në përmbushjen e standardeve të integrimit.
Sipas Sorecës ky laborator me pajisje bashkëkohore po jep kontributin e tij në garancinë e cilësisë së eksporteve.
“Integrimi në BE nuk është vetëm Reforma në Drejtësi apo ajo zgjedhore, por edhe beteja të tjera si siguria ushqimore. Është parë që është rritur numri i eksporteve bujqësore nga Shqipëria me 8% në periudhën 2020 – 2021, falë certifikimeve që janë bërë prej jush. Kjo tregon se janë të sigurta”.
Në Tetor të vitit të kaluar, ISUV-i u akreditua për kryerjen e 96 testeve të tjera laboratorike nga produktet bimore tek ato shtazore.
“Tek ne kryhen 100% analizat e produkteve shtazore. Një garanci jo vetëm për konsumatorët shqiptare, por edhe për ata të huaj”.
ISUV auditohet çdo vit nga Bashkimi Europian për infrastrukturën dhe metodat që kryhen analizat./ Tv Klan