Nga Shaban Murati
Nuk ka ndodhur në historinë e diplomacisë ruse që një ambasador i saj i akredituar në një shtet të huaj, në një paraqitje publike dhe zyrtare të përdorë një gjuhë rruge për të demostruar forcën e politikës së jashtme të Rusisë. Ndodhi në 13 shkurt me ambasadorin e Rusisë në Suedi, Viktor Tatarincev, i cili në një intervistë me një nga gazetat më të mëdha suedeze “Aftonbladet”, deklaroi me gojën plot: ”Ne u bëjmë m..tin sanksioneve të SHBA dhe BE ndaj Rusisë”. (Gazeta suedeze e botoi të plotë tekstin, pa pika).
Deklarata e padëgjuar ndonjëherë diplomatike dhe emri i ambasadorit rus bënë xhiron e botës. Është një qëndrim i paimagjinueshëm për një ambasador që, në cilësinë zyrtare dhe publike të përdorë një gjuhë të tillë vulgare, dhe rasti është pak të cilësohet skandal diplomatik.
Nuk ka informacion nëse Ministria e Jashtme Ruse ka ndërmend ta tërheqë ambasadorin e saj në Stokholm për këtë skandal, siç do të vepronte normalisht një shtet serioz. Të skandalizuar janë edhe vetë mediat ruse për këtë ngjarje të paparë diplomatike dhe gazeta ruse “Komsomolskaja Pravda” në 13 shkurt shkruante që në titull se “Ambasadori rus në Suedi me gjuhën e rrugës shpjegon qëndrimin ndaj sanksioneve të Perëndimit”.
Gjuha e rrugës e përdorur nga ambasadori reflekton jo thjesht fizionominë personale dhe kulturore të ambasadorit, i cili ka harruar rregullin e artë që diplomati në një shtet të huaj është diplomat edhe në pijetore.
Gjuha e rrugës në emër të statusit zyrtar si ambassador shpreh gjendjen aktuale halucinante dhe profilin e nje diplomacie arrogante të një shteti të ethtuar nga fantazmat e luftës kundër Europës, NATO-s dhe Perëndimit. Ambasadori rus me gjuhën dhe fjalorin e tij brutal paraqet intonimin dhe metodologjinë e re arrogante të mendimit dhe të veprimit të diplomacisë dhe të politikës së jashtëme ruse në drejtim të gjitha shteteve të Europës nga deti Baltik deri në detin e Zi.
Është pararoja diplomatike e ofensivës shtetërore ruse të shantazhit dhe të kërcënimit ushtarak në një hapësirë të gjerë mbarë europiane.
Ambasadori rus në Suedi me gjuhën e rrugës përçoi kërcënimet direkte të Moskës ndaj Suedisë për të parandaluar anëtarësimin e vendit nordik në NATO. Tatarincev kërcënoi se “ata që mendojnë të bëhen anëtarë të rij të NATO-s duhet të heqin dorë nga ky objektiv. Kjo për Rusinë është çështje e rëndësishme dhe parimore”.
Kërcënimi i ambasadorit rus në adresë të Suedisë për çështjen e anëtarësimit në NATO lidhet me faktin që muajt e fundit në Suedi është shtuar shumë debati në qarqet politike dhe publike lidhur me nevojën e hyrjes së vendit në Aleancën Atlantike.
Debati është rindezur pikërisht për shkak të kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare të Suedisë dhe të vendeve nordike nga Rusia. Faza e re e rrezikshme e përgatitjeve të hapura të Rusisë për luftë kundër Ukrainës me përqendrimin e mbi njëqind mijë forcave ushtarake dhe të divizioneve tankiste dhe të forcave ushtarako-ajrore në kufijtë e Ukrainës, krijoi shqetësim të natyrshëm në gjithë Europën dhe frikën se Rusia me përgatitjet për luftë dhe për pushtimin e Ukrainës po hyn në një fazë të re agresiviteti, që mund të avancojë dhe drejt rajoneve të tjera europiane.
Shqetësimet janë që Rusia mund të ndërmarrë edhe në detin Baltik kundër vendeve nordike atë, që po bën me Ukrainën në Detin e Zi. Nuk duhet harruar se jo larg, por në vitin 2014 Rusia ndërmori agresion kundër Ukrainës dhe i aneksoi dhunshëm gadishullin e Krimesë dhe i shkëputi rajonet lindore atij vendi.
Këto rreziqe ruse në shkallë europiane për sigurinë kombëtare, nuk mund të mos vinin në lëvizje institucionet dhe opinionin publik suedez lidhur me rrugët më të mira për mbrojtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit përballë një rreziku rus.
Vlerësimi dominues është se mënyra më e sigurtë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare do të ishte dhe anëtarësimi në NATO. Të gjitha anketat e zhvilluara tregojnë se ka një rritje të madhe të qëndrimit në favor të anëtarësimit të Suedisë në NATO. Por zyrtarisht qeveria suedeze ka deklaruar, siç tha sekretarja suedeze e shtetit për punët e jashtme, Karin Wallensteen, në 12 shkurt se “Ne duam të jemi partnerë të fuqishëm me NATO-n, por nuk kemi ndërmend të hyjmë në të”.
Natyrisht ambasadori rus në Suedi dhe diplomacia ruse e dinë këtë qëndrim zyrtar të qeverisë suedeze, e dinë se nuk ka ndonjë hap zyrtar suedez në drejtim të anëtarësimit në NATO, ndaj duken alogjike kërcënimet ruse në adresë të Stokholmit për këtë çështje.
Por diplomacia ruse përdor shantazhin për të mbajtur të gjitha shtetet nën presion dhe për t’i orientuar drej lidhjeve me Rusinë. Ambasadori rus arrin deri atje sa që sulmon Suedinë se “Nuk është mirë për Suedinë që nuk ka kontrata ushtarake me Rusinë”. Kërcënimi dhe shantazhi rus konkretizojnë synimin që Suedia të orientohet drejt lidhjeve ushtarake me Rusinë.
Gjuha vulgare apo diplomacia e rrugës, siç e quajti vetë shtypi rus, nuk duken të rastit. Ambasadori rus është ndër stekat e vjetra të diplomacisë ruse, i cili ka 23 vjet që shërben si diplomat vetëm në Suedi, ku e ka nisur karrierën si atashe i kulturës në vitin 1980 në ambasadën ruse në Stokholm. Pas 23 vjet jetese në mesin e një shoqërie aq të zhvilluar, të kulturuar dhe aq demokratike, një shoqërie të përmbajtur dhe intelektuale si shoqëria suedeze, diplomati i vjetër rus duhet të kishte mësuar normat e një sjellje të denjë publike për një diplomat të një shteti të madh.
Por duket që ambasadorin e kanë nxjerrë nga shinat e etikës diplomatike dhe njerëzore prepotenca dhe histeria luftënxitëse, që ka përfshirë Kremlinin, shtetin dhe diplomacinë ruse që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar, kur Moska i dërgoi SHBA dhe NATO-s kërkesat e saj ultimative që NATO të mos zgjerohet me anëtarë të rij, që të mos vendosë pajisje ushtarake në vendet anëtare të NATO-s dhe të tërhiqet në konfiguracionin e saj të vitit 1997.
Ultimatumet e Moskës të kujtojnë stilin e muzhikëve zaporozazh, që i shkruanin sulltanit me gjuhën e vodkës. Moska i drejtohej Aleancës Atlantike në kohën që kishte grumbulluar mbi 100 mijë forca ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe po bëhej gati për ndërhyrje ushtarake.
Si dërgimi i kërkesave ultimative drejt SHBA dhe NATO-s, ashtu dhe operacioni i madh ushtarak në drejtim të Ukrainës, kanë një emërues të përbashkët: sanksionimin e sferës ruse të influencës në Europë.
Në këtë strategji hegjemoniste ruse konsiderohen armiq të gjitha shtetet, që janë anëtarë ose miq me NATO-n, përfshirë edhe Suedinë. Ndaj harta ruse e shantazhit kap të gjitha shtetet nga Ballkani e deri në Baltik. Krahas përqendrimit të forcave të mëdha ushtarake ruse në kufijtë tokësorë dhe detare të Ukrainës, Moska intensifikoi edhe operacionet e saj të provokimit të tensioneve ushtarake në detin Baltik dhe pranë Suedisë.
“France 24” njoftonte në 25 janar se “anijet ushtarake amfibe të Rusisë nisën të lëvizin nëpër detin Baltik, disa prej të cilave shumë afër Suedisë. Shumë fluturime dronësh me origjinë të panjohur nisën inkursionet mbi centralet bërthamore suedeze”.
Mediat suedeze bëjnë të ditur se dronët janë ruse dhe se ka një shtim të shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore suedeze nga avionët ushtarakë rusë. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në datën 24 dhjetor 2021, pas ultimatumeve të Moskës ndaj SHBA dhe NATO-s, kërcënoi publikisht Suedinë dhe Finlandën se “në qoftë se hyjnë në NATO do të kenë pasoja ushtarake dhe politike”.
Rusia i jep vetes të drejtën që të diktojë se si duhet të sillen dhe si duhet të veprojnë shtetet sovrane në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare.
Kjo prodhon diplomacinë e megallomanisë dhe të arrogancës jashtë çdo etike. Çështja e gjuhës së rrugës, që përdori ambasadori rus në Suedi apo gjuhës së ironisë bajate dhe të talljes primitive, që përdor në brifingjet e saj të përjavshme zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, ndaj shteteve, kryeministrave apo presidentëve të shteteve të tjera, janë në këtë linjë. Janë shfaqje e mentalitetit dhe e një ambicje të madhe ruse për hegjemoni në Europë dhe në botë.
Gjuha dhe diplomacia e rrugës rrjedh nga konceptet prej superfuqie të re si në kohën e perandorisë së dikurshme sovjetike, të cilat janë bërë tashmë dominuese në platformën e politikës së jashtme ruse. Këtë platformë e konfirmoi hapur dhe zyrtarisht ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në takimin e punës në Kremlin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në 14 shkurt, kur i raportoi për veprimtarinë aktuale të diplomacisë ruse nëpër botë.
Në fjalimin e publikuar në faqen zyrtare të MPJ Ruse tërheqin vëmendjen dy koncepte ekstremisht agresive të platformës së diplomacisë ruse në Europë dhe në botë.
Koncepti i parë, që paraqet Lavrovi, është se e drejta e shteteve për të përcaktuar politikën e tyre të jashtme dhe aleatët ose pjesëmarrjen në aleanca, nuk është sovrane, por është e kufizuar nga interesi dhe siguria e shteteve të tjera.
“Thuhet se e drejta e shtetit tjetër për të zgjedhur aleanca dhe për t’u bashkuar me to është mbi të gjitha. Kjo gjoja nuk diskutohet. I kujtoj amerikanëve dhe kolegëve të tjerë perëndimorë se e drejta nuk është e pakushtëzuar. Ajo direkt është e kushtëzuar me gjëra të tjera, që përmbajnë konsensusin”- deklaroi Lavrovi në raportin e tij para presidentit rus.
Me një fjalë, nëse shtete të ndryshme sovrane si Suedia dhe Finlanda vendosin të hyjnë në NATO, nuk është e drejtë sovrane e tyre të vendosin, por ato duhet të pyesin Rusinë dhe të marrin konsensusin e saj për aktet e politikës së tyre të jashtme dhe për aleancat, ku duan të anëtarësohen.
Me këtë koncept Rusia i jep vetes të drejtën të ndërhyjë në punët e brendshme të Suedisë dhe të Finlandës dhe t’u diktojë atyre se çfarë politike të jashtme dhe çfarë aleancash duhet tëzgjedhin. Rusia vetë nuk e pyeti NATO-n, BE-në dhe shtetet europiane kur krijoi aleancën e saj të re ushtarake “CSTO” me disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik dhe nuk kërkoi konsensusin e tyre.
Rusia nuk e pyeti NATO-n apo BE-në kur ndërhyri ushtarakisht me trupat e saj në Kazakistan në 6 janar të këtij viti. Rusia nuk e pyeti NATO-n dhe BE-në kur ndërmori agresionet ushtarake kundër Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe kundër Ukrainës në vitin 2014, megjithëse këto dy shtetet ndodhen në kufijtë e Aleancës Atlantike.
Koncepti tjetër agresiv, që shprehu ministri i jashtëm rus, është se hapësira europiane nuk duhet të dominohet nga shtetet dhe organizatat euroatlantike, që ndodhen në të. “Vërejmë përpjekje të kolegëve të NATO-s dhe të BE që në një farë mënyre ato pikërisht duhet të përcaktojnë zhvillimin e mëtejshëm të kontinentit tonë. Asnjë shtet, grup shtetesh apo organizate nuk mund të dominojë në hapësirën e OSBE”-deklaroi Lavrovi në raportin e tij.
Është një koncept antiatlantik dhe antieuropian, i cili i kundërvihet direkt NATO-s dhe Bashkimit Europian si organizata, të cilat sipas Moskës nuk duhet të dominojnë në hapësirën gjeografike, që përfshin shtetet e tyre anëtare.
Kjo do të thotë që Rusia nuk pajtohet dhe nuk pranon që shtetet anëtare të BE dhe të NATO-s, që kanë hyrë me vullnetin e tyre në ato organizata pas shembjes së komunizmit, të mbrojnë sovranitetin e përbashkët atlantik dhe europian, por të konsiderojnë se në to ka pjesë edhe Rusia. Është rivendikimi i ri dhe i vjetër i presidentit rus Putin, i cili planifikon të sanksionojë të drejtën imperiale ruse të trashëguar nga Bashkimi i dikurshëm komunist Sovjetik për të sunduar ish-vendet komuniste të Europës, që sot janë në BE dhe në NATO.
Nuk është rastësi që Moska kërkesat e saj ultimative për të ashtuquajturat garanci të sigurisë ia dërgoi veç e veç me letra të Lavrovit të gjitha shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE në një përpjekje për të bërë diversion dhe për të përçarë aleancat perëndimore, por edhe për të konfirmuar të drejtën e sferës së saj të influencës në shtetet ish-komuniste europiane.
Ministri i jashtëm Lavrov u detyrua t’i raportonte bosit Putin se asnjë shtet, që ka marrë letrën e tij, nuk i është përgjigjur asaj. Me një gjuhë të padenjë për një ministër të jashtëm të një shteti të madh dhe për një diplomat me përvojë të madhe, Lavrovi raportoi se ka marrë përgjigje vetëm nga “nëpunësi Stoltenberg dhe nëpunësi Borrell”. Gjuha përçmuese e shefit të diplomacisë ruse për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe për përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtme dhe nënpresident i Komisionit Europian tregon një etikë mjerane dhe një megallomani të papranueshme.
Fjalori dhe mentaliteti i rrugës, që po shfaqet si tipar i diplomacisë ruse, si gjuhë dhe si concept e demonstron një fazë të re kërcënimesh dhe agresiviteti të diplomacisë dhe të shteit rus. Ka një ethe të papërmbajtshme nga Kremlini për të rindërtuar staturën e superfuqisë sovjetike, që kishte dikur Bashkimi Sovjetik, kur sundonte gjysmën komuniste të Europës.
Ka një ethe personale të presidentit Putin, të cilin me sa duket mosha e tretë në vend që ta frenojë në ambicjet, po ia nxit instiktet dbe komplekset frustruese të 30 viteve të pas luftës së ftohtë për humbjen e hegjemonisë sovjetike pas shembjes së komunizmit. Ndaj asistojmë në manifestimin e një agresiviteti shumëplanësh dhe shumëformësh të shtetit dhe të diplomacisë ruse në kontinentin europian.
Kremlini po krijon një klimë rreziku, që shumë vëzhgues dhe diplomatë e krahasojnë me atmosferën diplomatike në pragun e luftës së dytë botërore. Mendimi realist është se ekuilibri i terrorit do të funksionojë dhe do të frenojë që agresiviteti apo një aventurë luftarake lokale ruse të shndërrohet në konflikt kontinental ose global. Botuar në DITA