Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan dëshmoi sot në komisionin hetimor të Kuvendit për inceneratorët. Deputetët e PD-së të zgjedhur në komision u shprehën se shpallja e gjendjes së emergjencës mjedisore në Elbasan në kohën që bashkia drejtohej nga Qazim Sejdini është bërë në shkelje të ligjit dhe është bërë me qëllim që fituesi i koncesionit, “Albtek” të bëhej pa shpallje.
Nga debati rezultoi se edhe sot gjendja e emergjencës me letra vijon që të jete ende në fuqi. Kryetari i bashkisë së Elbasanit deklaroi se prej një muaji, inceneratori është i fikur, pasi nuk ka lëndët e nevojshme djegëse.
Dëshmia
Gledian Llatja: Në 2008 këshilli bashkiak ka miratuar, i ka kërkuar qeverisë së Sali Berishës se qyteti ndodhet në gjendje emergjente për mbetjet dhe në këtë studim, që ka projekti, në pikën e dytë të tij janë përcaktuar disa vende të përshtatshme, ku përmenden, vendi prapë fabrikës së çimentos, Papër dhe pranë ish-kombinatit Metalurgjik. Në 2008 kryetar bashkie ka qenë Qazim Sejdini. Propozimi ishte për vend-depozitim mbetjesh.
Luçiano Boçi: A ka një akt që është mbyllur gjendja e emergjencës mjedisore?
Gledian Llatja: Në dijeninë time jo. Nuk di të ketë një akt për mbylljen e emergjencës mjedisore.
Luçiano Boçi: A është kompetencë e këshillit bashkiak të shpallë emergjencë mjedisore?
Gledian Llatja: Vendimi i këshillit bashkiak është i detyrueshëm
Luçiano Boçi: Gjendjen e emergjencës mjedisore e shpall vetëm komiteti i trajtimit të mbetjeve. Por kjo është përdorur si arsye që koncesioni të ishte pa shpallje për “Albtek” që është në kundërshtim me ligjin.
Gledian Llatja: Të gjithë në bllok kanë votuar pro, të majtë dhe të djathtë në Elbasan.
Luçiano Boçi: Situata ka qenë problematike.
Jorida Tabaku: Si ndryshoi dhe kaloi nga kërkesa e Qazim Sejdinit nga landfilli te inceneratori?
Gledian Llatja: Sejdini mund të kërkonte që të zbriste edhe hëna në tokë, por ai po kërkonte të zgjidhej problemi.
Jorida Tabaku: Ju keni ardhur të gjithë me foto, por jo me letra, duam të dimë procedurën koncesionare.
Gledian Llatja: Këshilli bashkiak, cdo vendim që merr është i detyrueshëm.
Luçiano Boçi: Këshilli e merr vendimin, por duhet të shprehet komiteti i menaxhimit të mbetjeve, por nga ky institucion nuk ka asnjë vendim. Në lidhje me mënyrën si morët në dorëzim inceneratorin aktual. Pyetja ime, është kur nisi korrespodenca?
Gledian Llatja: Ka qenë një shkresë e bërë në mes të vitit të kaluar.
Luçiano Boçi: Në dijeninë tuaj, nga data 17 dhjetor 2021, deri tani që flasim a punon inceneratori?
Gledian Llatja: Në datë 15, drejtuesit teknikë për shkak të mungesës dhe kontakteve me administratorët e rinj, vendosi të fikë inceneratorin, pasi i mungonin disa materiale bazë që merren njëherë në dy apo tre ditë. Teknikët kanë kërkuar që këto materiale të prokurohen. Impianti është në gjendje pune.
Në datë 15 është urdhëruar nga teknikët fikja e detyruar për të mos shkaktuar një dëm nga mungesa. Ka një muaj e gjysmë që nuk është ndezur për mungesë të lëndës së parë që në rastin konkret është gëlqere.
/5pyetjet.al